Kosovë: Thellohet deficiti tregtar 10.9 për qind në prill të 2018
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë të Prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 10.9 për qind në muajin prill 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 244.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 220.6 milionë eurosh në vitin 2017.
Eksporti mbulon importin me 9.4 për qind.
Kjo agjenci përmes kumtesës për media ka bërë të ditur se eksporti i mallrave në muajin prill 2018 kishte vlerën 25.5 milionë euro, ndërsa importi 270.3 milionë euro, që është një rënie prej 18.2 për qind për eksport dhe një rritje prej 7.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 28.8 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 15.5 për qind e përbëjnë produktet minerale, 15.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 4.6 për qind e përbëjnë produktet bimore, 3.9 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj, 3.9 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, 3.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 13.9 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 12.9 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 7.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 7.2 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 5.2 për qind e përbëjnë produktet bimore, etj.
Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 8.1 milionë euro ose rreth 31.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.8 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në Bashkimi Evropian janë Gjermania me 8.1 për qind, Britania e Madhe me 4.9 për qind, Holanda me 4.3 për qind, Italia me 2.8 për qind dhe Bullgaria me 2.3 për qind.
Importet e Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian ishin rreth 115.4 milionë euro ose 42.7 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.4 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 11.3 për qind, Italia me 5.7 për qind, Greqia me 4.1 për qind, Sllovenia me 2.8 për qind, Polonia me 2.8 për qind, etj.
Tregtia me vendet e CEFTA-së
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së në muajin prill 2018 arritën në 13.8 milionë euro ose 54.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 17.2 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 21. për qind, Maqedonia me 14.9 për qind Serbia me 9.1 për qind dhe Mali i Zi me 5.9 për qind.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill 2018 arritën në 72.4 milionë euro ose 26.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 13.7 për qind, Maqedonia me 5.3 për qind, Shqipëria me 4.9 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 2.4 për qind.
Tregtia me vendet e treta
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.5 milionë euro ose 14.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden Zvicra me 8.2 për qind dhe Turqia me 3.3 për qind.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 82.4 milionë euro ose 30.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.4 për qind dhe Kina me 6.9 për qind. /Gazeta Ekonomia
Fraksion.com