AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Krizat institucionale, pasojë e dëshirës për pushtet

Në publikimin e punimit “Demokracia e Kosovës në rrezik? Paqëndrueshmëria e sistemit partiak, kohëzgjatja e qeverisë dhe kriza institucionale në Kosovë ”, prezantuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), u tha se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar plotësisht mandatin.

Krenar Gashi, prezantues i studimit, tha se studimi trajton arsyet pse qeveritë në Kosovë nuk mund të përfundojnë mandatet e tyre qeverisëse, raporton Ekonomia Online.

“Studimi bazohet në 3 fusha shqetësuese: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmëria zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve, përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve”.

“Krizat institucionale vijnë si pasojë e partive për të mbajtur pushtetin. Është problematike fakti i përzierjes së zyrës së presidentit në pazarët politikë për qeverisje. Negociatat për koalicione qeverisëse në Kosovë bëhet për poste, jo për politika të qëndrueshme. Për 10 vjet shtet Kosova nuk ka parë një parti politike që ka mbajtur mandatin e plotë”, shtoi Gashi.

Jehona Lushtaku, pjesë e panelit të diskutimit, tha se partitë politike kanë dështuar në inkuadrimin e grave në vendimmarrje, raporton EO.

“Kemi parë shpeshherë që brenda partive forumet janë vetëm formale dhe nuk ndikojnë në ndërtimin e kapaciteteve ndërpartiake. Ka qenë dështim total i partive politike në zgjedhjet e fundit, për shkak të numrit të vogël të grave. Partitë politike kanë dështuar në integrimin e grave në vendimmarrje”, tha ajo.

Arben Qirezi, pjesë e panelit, tha se kriza ligjore dhe kushtetuese e bën sistemin politik komplet jofunksional në Kosovë.

“Shkelja e dispozitave ligjore me qëllim të lejimit të prodhimit të institucioneve ka ndodhur në vitin 2017 përmes një interpretimi të gabuar të rregullores së Kuvendit. Partitë politike e kanë filluar mbledhjen konstituive, mirëpo ka përfunduar pas tre muajve. Partitë politike e kanë kuptuar që ky sistem politik në mënyrën se si është ndërtuar e bën të pamundur prodhimin e institucioneve strike”, tha ai.

Panelisti tjetër, Naim Rashiti, tha se partitë politike nuk e marrin seriozisht kushtetutën, sepse nuk kanë qenë pjesë e punës së saj.

“Ne nuk jemi të vetëdijshëm që çfarë dëme kanë shkaktuar krizat politike të vitit 2015 dhe 2017. Këto kriza e kanë lënë Kosovën pa projekte e plane ekonomike. Ne kemi mungesë të edukimit profesional të subjekteve politike. Subjektet nuk i ndiejnë institucionet si tonat. Ata nuk e marrin seriozisht kushtetutën, sepse nuk kanë qenë pjesë e punës së kushtetutës”, tha ai.

Në bazë të studimit janë nxjerrë disa rekomandime si:

– Partitë duhet ta ndryshojnë nenin 67 të Kushtetutës, e cila lejon që një parti që nuk e ka shumicën ta kontrollojë dhe potencialisht ta bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

– Partitë duhet të jenë më të vetëdijshme për nevojën e respektimit të normave elementare demokratike gjatë proceseve të ndjeshme të transferimit të pushtetit pas zgjedhjeve.

– Një pjesë e problemit në pazaret, apo bisedimet mbi koalicionet pas zgjedhjeve është tendenca e fokusimit në ndarjen e plaçkës politike, përfshirë këtu postet politike, të kënaqen fraksionet e ndryshme dhe elektoratet klienteliste.

– Po ashtu, akterët politikë duhet ta shfrytëzojnë kohën në opozitë më shumë që t’i drejtojnë organizatat politike kah ndërtimi i programeve dhe politikave strategjike afatgjata, në mënyrë qe të konsiderohen të rëndësishëm vetëm pasi partia të ketë hyrë në qeveri.