AktualitetPolitikëTë fundit

Fajon fshikullon Macronin: Shpresoj që Franca të zbusë qëndrimin ndaj Shqipërisë

Tanja Fajon, eurodeputetja që pati një rol të rëndësishëm në liberalizimin e vizave për Shqipërinë, i del sërish në mbrojtje vendit tonë, duke fshikulluar këtë herë presidentin francez Emmanuel Macron.

Këndvështrimi i tij se Ballkani Perëndimor duhet “ankoruar në Bashkimin Europian”, – thotë Fajon, – nuk duhet të shërbejë si zëvendësues për procesin e anëtarësimit të rajonit.

“Ndonjëherë më duket se Macron nuk është aspak i ndërgjegjshëm se çfarë nënkupton për Ballkanin pajtimi, paqja dhe stabilitetit dhe se përse zgjerimi ka domethënie të madhe për të gjithë Europën”, ishte komenti i saj.

Franca ka një pozicion të vendosur sa i takon shtrirjes së mëtejshme të bllokut, e shqetësuar nga arsyet e sigurisë apo çështja e azilkërkuesve të rremë, shumica e të cilëve, siç e pohon dhe eurodeputetja sllovene, vazhdojnë të mbërrijnë nga Shqipëria dhe Kosova.

“Por, Franca nuk është shteti i vetëm këtu, – këmbëngul ajo. – Janë edhe plot vende të tjera që kanë interesa të mëdha. Unë sidoqoftë vazhdoj të shpresoj se Franca do të zbusë qëndrimin e saj për Shqipërinë”, nënvizon më tej Fajon, që përmendi edhe Samitin e Sofjes.

Në këndvështrimin e saj, takimi i parë në 15 vite i këtij niveli mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor përcolli një mesazh që ndoshta nuk ishte shumë ambicioz, por duhet konsideruar padyshim i qartë për sa i takon perspektivës europiane të rajonit./TCH

 

Fraksion.com