AktualitetEkonomiTë fundit

Enti i Banesave: Dy projekte të reja të strehimit social në Pukë e Durrës; ja kush përfiton

Pas projekteve të përfunduara në Librazhd, Lushnjë dhe Berat, Enti Kombëtar i Banesave, bëri të ditur se kanë nisur dy projekte të reja sa i përket banesave sociale.

Projekti i parë është në Durrës, i cili përfshin një objekt banimi me 30 apartamente (6 kate+1 kat nëntokë), vlera e të cilit arrin 110.792.517 lekë; ndërsa mësohet se afati i ndërtimit do të jetë 300 ditë kalendarike. Projekti tjetër është i fokusuar në Rrethin e Pukës, përkatësisht i cilësuar si “Mëso për të punuar, puno për të strehuar”.

Kjo nismë e re e EKB-së për rrethin e Pukës për investimin në ndërtimin e 24 apartamenteve me kosto të ulët. Me bashkëpunimin e Bashkisë së Pukës, Zyrës së Punës dhe Drejtorisë Lëvizëse së Formimit Profesional do t’i jepet mundësia anëtarëve të familjeve të aftë për punës për trajnime dhe kurse profesionale, duke iu gjetur alternative punësimi dhe duke kontribuar vetë në ndërtimin e banesave të tyre. Faza: Nënshkruhet akt-marrëveshja e bashkëpunimit me Bashkinë Pukë, Zyrën e Punës dhe Drejtorinë Lëvizëse të Formimit Profesional.

Objekti përfshin një bllok banesash sociale me kosto të ulët dhe eficencë energjie me 2 kate + papafingo, me 24 apartamente, afati i ndërtimit të të cilit është parashikuar 260 ditë kalendarike, ndërsa vlera e projektit nuk bëhet e ditur.

Këto projekte në ndërtim janë pjesë e programit social të strehimit, ligji i së cilës u miratua në fillim të këtij viti. Llojet e programeve sociale të strehimit, sipas ligjit në fuqi janë:

1. Programin e banesave sociale me qira (BSQ);
2. Programin për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
3. Programin e banesave me kosto të ulët (BKU);
4. Programin për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
6. Programin për krijimin e banesave të përkohshme;
7. Programin e banesave të specializuara.

Programet
Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat. “Banesat sociale me qira përfshijnë:

a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore apo persona juridikë privatë, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale;

b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat ofrohen si banesa sociale që jepen me qira, që subvencionohen dhe të vlerësuara nga organet e njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga persona juridikë privatë, si banesa që përmbushin të gjitha kushtet teknike dhe normat e strehimit;

c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen”-thuhet në projektligj.

 

Frakssion.com