Britanikët që jetojnë në Bullgari nuk frikësohen nga Brexit-i
Britania mund të largohet nga Bashkimi Evropian, por shumë britanikë që jetojnë në Bullgarinë veriore janë të vendosur të qëndrojnë në këtë vend. Mbi 4.000 shtetas të Britanisë së Madhe janë të regjistruar si banorë të përhershëm në Bullgari dhe më shumë se gjysma e tyre jetojnë në pjesën veriore të vendit. Shumica e tyre mbërritën këtu pas vitit 2007, kur Bullgaria u bë anëtare e Bashkimit Evropian, në kërkim të një mënyre më të thjeshtë jetese dhe me kosto më të ulët.
Bullgaria Veriore, rajoni midis Maleve Ballkanike dhe lumit Danub, është një nga rajonet më të varfëra në Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it.
Por ai është kthyer në shtëpi për një numër britanikësh që duan një jetë më të thjeshtë dhe me kosto më të ulët.
Nick dhe Nicky Kinson menaxhojnë një vend kampingu afër qytetit të Veliko Tarnovës. Në vitin 2007 ata ishin një nga çiftet e para britanike që blenë prona në këtë zonë, viti kur Bullgaria u bë anëtare e Bashkimit Evropian.
“Kur filluam kjo ishte vetëm një fushë gruri, tokë bujqësore. Nuk kishte drita, ujë, pemë, kopësht, pishinë, nuk kishte asgjë. Në dhjetë vitet e fundit ne ndërtuam çdo vit nga pak dhe tani kjo është rritur në një oaz të bukur, të vogël, në mes të Bullgarisë së bukur”, thotë Nick.
Nicky Kinson ra në dashuri me vendin në shikim të parë dhe gjithmonë është ndjerë shumë e mirëpritur këtu.
“Vendasit tani na trajtojnë sikur të ishim bullgarë. Madje thonë se po bëhemi paksa si bullgarët, gjë që ne e konsiderojmë si kompliment”, thotë ajo.
Kinsonët thonë se Brexit-i nuk i shqetëson ata dhe se nuk po shqyrtojnë kthimin në Britaninë e Madhe.
Nick dhe Nicky nuk janë të vetmit britanikë që janë zhvendosur në Bullgarinë veriore. Sipas Zyrës Kombëtare së Statistikave, katër mijë shtetas të Britanisë së Madhe kanë statusin e banorit të përhershëm në Bullgari dhe më shumë se gjysma e tyre jetojnë në rajonin verior të vendit. Përkundrazi, një numër i madh bullgarësh po largohen nga kjo zonë. Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe një ekonomie lokale në depresion, vetëm një e treta e banorëve jetojnë në veri, pavarësisht se rajoni mbulon gjysmën e territorit të vendit.
Një nga fshatrat më të popullarizuara në mesin e britanikëve është Hotnitsa, që ndodhet rreth 20 minuta me makinë nga qyteti më i madh në këtë zonë, Veliko Tarnovo.
Shirley Stevenson dhe partneri i saj Douglas Smith u vendosën këtu dy vjet më parë, fillimisht të tërhequr nga çmimet e ulëta të pronave.
Shirley ka hapur “Bits and Bobs”, një dyqan të vogël me artikuj të përdorur në qendër të fshatit Hotnitsa, ku njerëzit mund të shesin gjërat që nuk u nevojiten më.
Duke marrë parasysh Brexit-in, ata po marrin masa për të shmangur kthimin pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
“Ne jemi në procesin e marrjes së statusit të banorit të përhershëm dhe pastaj shpresojmë të marrim edhe shtetësinë,” thotë Shirley.
Zona rreth fshatit Hotnitsa është e mbushur me fshatra të braktisura, shtëpi të braktisura dhe me një popullsi të plakur.
Numri i banorëve në Bullgarinë veriore është ulur me 30,000 vetë vetëm në vitin 2017, sipas statistikave zyrtare. Rreth qytetit të Veliko Tarnovës ka 58 fshatra të zbrazëta pa banorë të mbetur.
Sidoqoftë, në vitet e fundit, vendasit janë krenarë të thonë se Hotnitsa është bërë një qendër për të huajtë britanikë që kanë rinovuar pronat e vjetra dhe janë angazhuar me komunitetin.
Natasha Penova është sekretare e qendrës së komunitetit të fshatit dhe drejton një ekspozitë të vogël etnografike.
“Unë mund t’ju them se në fshat ka 59 shtëpi në pronësi të britanikëve. Miqtë tanë nga ishulli filluan të lëvizin këtu, në fshatin tonë të bukur simpatik që nga viti 2002, kështu që ne jemi një nga fshatrat në Bullgari që ka numrin më të madh të kolonëve britanikë”, thotë ajo.
Natasha thotë se është një gjë shumë e mirë që shumica e të huajve angazhohen në jetën e fshatit, duke ndjekur traditat lokale dhe kombëtare.
“Nuk ka festë, si psh dita e gjyshes, dita e verës, dita e fshatit, ose dita kombëtare në të cilën ata nuk angazhohen”, thotë Natasha.
Britania do të largohet nga Bashkimi Evropian, dhe nga marrëveshjet e saj të tregut dhe doganave të përbashkëta, në mars të vitit 2019./VOA
Fraksion.com