AktualitetEkonomiTë fundit

Bankers i kërkon 2.5 milionë euro rimbursim Doganave për holluesin

Kompania Bankers Petroleum i ka kërkuar Doganave që t’i rimbursojnë rreth 2.5 milionë euro të cilat janë paguar si rentë minerare për holluesin që është importuar në funksion procesit të nxjerrjes së naftës.

Një padi e depozituar nga kompania në Gjykatën Administrative të Apelit, për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave si dhe atë rajonale të Vlorës jep edhe detajet për arsyet e kësaj nisme. Palë të treta të përfshira në këtë çështje janë edhe Ministria për Financat dhe Ekonomisë si dhe Avokatura e Shtetit.

Në objekt të padisë kërkohet “detyrimi i Degës së Doganës Vlorë, të përmbushë kushtëzimin e nenit 249 të Kodit Doganor duke rimbursuar detyrimin e eksportit për Taksën e Rentës Minerare për artikullin “Hollues” (të importuar dhe injektuar për procesin teknologjik të nxjerrjes dhe transportit si dhe të eksploruar), të cilat nuk përbënin detyrim, pagesë rente minerale, për periudhën 09.03.2014 deri më 30.12.2014 në shumën 324 299 653  lekë”.

Kjo nuk është hera e parë që Bankers dërgon institucionet tatimore apo doganore në Gjykatë në lidhje me procedura të ndjekura prej tyre. Vetëm për vitin 2017 kompania dërgoi në Gjykatën Admninistative të Apelit të paktën katër çështje në dy prej të cilave ishte Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lidhur me vlerësimet tatimore të vitit 2012, vlerësim tatimor 2016 apo rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Kompania ka një historik të gjatë përplasjesh të lidhura ngushtë me detyrimet që janë pretenduar nga qeveria dhe mosdakordësinë e Bankers për vlerësimet e bëra nga ana e tyre. Situata u rëndua dy vite më parë kur përmes një vlerësimi të bërë nga institucionet kompanisë ju kërkua që të paguante 57 milionë dollarë.

Përmes kontraktimit të një audituesi të pavarur u bë analiza e shpenzimeve e cila rezultoi në favor të kompanisë çka detyroi qeverinë që të rishikonte vendimin e saj të parë duke bërë rakordim.

Kompania e themeluar në vitin 2004 ka një marrëveshje hidrokarbure të nënshkruar me qeverinë për të ushtruar aktivitetin e saj të kërkimit dhe prodhimit të naftës në fushën e Patos-Marinzës. Kanadezët shitën aksionet tek kompania Geo -Jade Petroleum Corporation, një marrëveshja e cila mori miratimin e qeverisë kineze në vjeshtën e vitit 2016./Monitor

 

Fraksion.com