Anketimi i biznesit: 99.2 % e pagesave i kanë pranuar cash, 66 % i kanë paguar në cash
Përdorimi i pagesave me cash vijon të jetë një fenomen që ende dominon në ekonominë shqiptare.
Nga një studim i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore i vitit të kaluar rezulton se nga bizneset e anketuara, 99.2% e të gjitha pagesave janë pranuar në para fizike (cash), ndërsa 66% e pagesave të kryera nga ata janë kryer gjithashtu në cash, thotë Monitor.
Nga ana e konsumatorëve shqiptarë diktohet një përdorim i lartë i parasë fizike (96% e pagesave të kryera nga konsumatorët rezultojnë në cash, ndërkohë që pagesat e marra për ta nga të tretë, 90% e tyre rezulton të kryhet në cash).
Gjithashtu transaksionet cash nga sportelet e bankave po vijnë në rënie nga vit në vit, por gjithsesi ato mbeten të larta dhe një fenomen që ende mbizotëron në ekonominë Shqiptare.
Sipas të dhënave të Bankës Qëndrore gjatë vitit të kaluar transaksionet me para fizike në sportelet e bankave pësuan rënie me 5.48 gjatë vitit 2017, por në vlerë shënuan në rritje me 0.8% në krahasim me një vit më parë.
Depozitimet cash në arkë nëpërmjet sporteleve të bankave ranë me 6.1 për qind, me rreth 1,6 trilionë lekë nëpërmjet 7,1 milionë transaksionesh.
Ndërsa tërheqjet cash nga sportlet e bankave ranë me 4 për qind me një vlerë 985 miliardë lekë nëpërmjet 3.6 milionë transaksioneve
Banka e Shqipërisë analizon se më 2017 është shënuar një ulje e lehtë e transaksioneve në arkë në terma të numrit dhe një rritje e lehtë me 0.82% në terma të vlerës, krahasuar me një vit më parë.
Banka e Shqipërisë analizon se pavarësisht uljes së transaksioneve të parasë fizike, nga perspektiva e tërheqjeve dhe depozitimeve në sportelet e bankave në vitin 2017, përdorimi i cash-it ekonominë shqiptare është një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për aktorët e ndryshëm dhe ekonominë në përgjithësi.
Në këtë kuadër, bashkërendimi i përpjekjeve në nivel tregu për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase dhe me kosto të ulëta paraqesin një rëndësi të veçantë dhe përbëjnë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë.
Fraksion.com