AktualitetEkonomiTë fundit

Taksat për mjedisin: 62 mln euro më 2017; Vetëm 40% shkoi në destinacion

Shqipëria vijon të ketë probleme të mprehta me mbrojtjen e mjedisit, të cilat po vijnë kryesisht nga mosmenaxhimi i mbetjeve dhe kryerja e punimeve pa respektuar standardet mjedisore. Por ndërkohë Shqipëria vjel një sasi të konsiderueshme taksash në emër të mbrojtjes së mjedisit.

Në vitin 2017 u grumbullua një vlerë mbi 8 miliardë lekë ose mbi 62 milionë euro, nga të cilat 4.2 miliardë lekë ishte taksa të vjelura ndaj makinave të përdorura, mbi 2 miliardë lekë ishin taksat e karbonit mbi karburantet dhe 1.7 miliardë lekë ishin taksa që u volën ndaj ambalazheve plastike si shishe dhe qese, sipas të dhënave nga tatimet.

Por në buxhetin e vitit 2017, fondet dedikuar mjedisit ishin vetëm sa 40 për qind e taksave të mbledhura.

Buxheti i Ministrisë së Mjedisit, i cili më së shumti shkon për personelin vitin e kaluar ishte 3.4 miliardë lekë, teksa taksat e destinuara për këtë qëllim i kaluan të 8 miliardë lekët.

Po në vitet në vijim, qeveria do të ketë shpenzime të larta për mjedisin për shkak se do paguajë kompanitë private që kanë ndërtuar nëpërmjet koncensioneve PPP (Partneritet Publik Privat) impiante të përpunimit të mbetjeve me incenerim.  Në 7 vitet në vazhdim, buxheti do të paguajë nga taksat e shqiptarëve 25 miliardë lekë për funksionimin e inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Taksat e mjedisit janë një trend rritës global për shkak problemeve gjithnjë e më të mprehta që po përballet bota aktualisht me emetimet e mëdha të karbonit të atmosferë.

Këto taksa zakonisht vilën ndaj sektorëve që krijojnë më shumë ndotje. Por më shumti i paguajnë përdoruesit e karburantit, qofshin fabrika apo njerëz.

Në Shqipëri taksat e mjedisit janë të përqendruara tek karburanti dhe automjetet, teksa para pak vitesh u rrit taksa ndaj ambalazheve plastike.

Së fundmi qeveria ka iniciuar një nismë për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike që nuk janë të observueshme pasi një pjesë e ndotjes vizuale krijohet pikërisht nga kjo kategori./Monitor

Taksat në mbrojtje të mjedisit Vlera ne 000/leke me 2017
Taksë për automjetet e përdorura të transportit 4,244,722
Taksë kombëtare e karbonit për benzinen, benzolin dhe gazoilin 2,095,154
Taksë kombëtare për ambalazhet plastike të lëngjeve të ambalazhuara (shishe, bidona etj.) 1,760,099
Gjithsej 8,099,975

 

Fraksion.com