Në bazë të ciklit të konkurrimit mes fuqive të mëdha gjatë 30 vjetëve të fundit, me afrimin e këtyre fuqive dhe shtimin e varësisë së ndërsjellë, ‘loja’ mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të futet në një periudhë të re me konkurrim të gjithanshëm, jo me kundërvënie. Lufta tregtare afatshkurtër do të fillojë me konflikt, por do të përfundojë me pajtim. Nëse shohim rritjen ekonomike në 15 vjetët e fundit, vërejmë mëkëmbjen e përgjithshme e ekonomisë botërore dhe ardhjen e dallgës së diversifikimit. Tregjet e reja sërish do të jenë motori kryesor i ekonomisë botërore. Në dhjetë vjetët e fundit, për arsye të zhdukjes së hendekut të prodhimit, niveli i inflacionit është në rritje, normat e interesit kanë filluar dhe kanë vazhdur të rriten dhe reformat strukturore në fushën e ofertës po bëhen burimi i gjallërisë së brendshme për rritjen botërore.
Konkurrenca nuk është kundërvënie
Nëse shohim zhvillimin e botës, duket sikur sfida mes fuqive të reja dhe atyre të vjetra është një ligj i pandryshuar i historisë dhe i ashtuquajturi ‘kurth i Tuqididit’ ka qenë gjithmonë një problem. Nëse shohim periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është fuqia që sfidohet, ndërsa sfiduesit janë të ndryshëm në periudha të ndryshme.
Analiza tregon se, qoftë sipas treguesit të Paritetit të Fuqisë Blerëse (PPP), qoftë tregut të këmbimit valutor, pas Luftës së Dytë Botërore, diferenca e Produktit e Brendshëm Bruto së dy ekonomive të para të botës zë një përqindje më të vogël në vëllimin e ekonomisë botërore. Nëse llogaritet PPP-ja, kjo diferencë është ulur në pothuajse zero nga rreth 20 për qind që ishte më parë. Nëse llogaritet me kursin e dollarit amerikan, ajo është ulur nga 25 për qind në 10 për qind.
Në vitet 1950-1980 të shekullit të kaluar, ‘loja’ ishte mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovietik. Për shkak të diferencës së madhe ekonomike, kjo lojë fokusohej te fusha ushtarake. Nga vitet 1980 të shekullit të kaluar deri në fillim të shekullit të tanishëm, protagonistët kryesorë të kësaj loje ishin Shtetet e Bashkuara të Bashkuara të Amerikës dhe Japonia. Për shkak të ekzistencës së alternativave të strukturës ekonomiko-tregtare, zvogëlimi i diferencës së vëllimit ekonomik u bë shkëndija e konkurrimit. Mirëpo, për shkak që këto dy vende kanë diferencë të madhe për sa i përket anës ushtarake dhe janë të ndërvarur ngushtë nga njëra-tjetra, ‘loja’ mes tyre nuk u kthye në një përballje të gjithanshme.
Në shekullin XXI-të, personazhet kryesore janë shndërruar gradualisht, dhe tani janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina. Me uljen e vrullshme, madje përmbysjen e diferencës së nivelit ekonomik mes tyre të llogaritur me PPP, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të ndërvarura nga njëra-tjetra gjithnjë e më shumë dhe kjo ndërlidhje është ‘shumë e madhe për të dështuar’. Kjo në fakt është baza thelbësore e marrëdhënieve të tipit të ri mes fuqive të mëdha. Kjo është arsyeja se përse gjendja është vështirë të dajë jashtë kontrollit, duke krijuar një situatë ku secili është i humbur. Kështu, ‘loja’ mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të futet në një periudhë të re konkurrimi të gjithanshëm dhe jo kundërvënieje, ndërsa lufta tregtare afatshkurtër do të fillojë me konflikt, por do të përfundojë me pajtim.
Mëkëmbja botërore dhe roli i tregjeve të reja
Nga viti 1976 deri në vitin 2009, rritja ekonomike botërore në përgjithësi ka pasur dy cikle të plota. Pas shpërthimit të krizës financiare botërore, ekonomia botërore mbeti në një gjendje dobësie. Pas 10 vjetësh, është dëshmuar një pikë kthese e rritjes ekonomike botërore dhe bota po futet në periudhën e mëkëmbjes.
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), këtë vit dhe vitin e ardhshëm, rritja e ekonomisë botërore do të jetë 3.9 për qind në vit, 0.2 pikë përqindjeje më shumë se parashikimi i tetorit të vjetshëm, çka është një gjë shumë e rrallë në dhjetë vjetët e fundit. Ndërkohë, parashikimi është më i lartë edhe se rritja 3.4 për qind në periudhën e krizës (2008-2017) dhe se rritja mesatare 3.5 për qind gjatë periudhës 1980-2017.
Me mëkëmbjen e përgjithshme, gjallërimi i ekonomisë botërore do të jetë më i shpërhapur dhe do të ketë faktorë më të shumtë nxitës. Rritja rajonale do të jetë më e ekuilibruar dhe do të ketë një raund të ri globalizimi. Sipas të dhënave të FMN-së, sivjet rritja e tregtisë do të jetë më e madhe se rritja ekonomike dhe ekonomitë e reja do të kenë një rritje më të shpejtë se vendet e zhvilluara. Atëherë, për arsye që janë të varura më shumë nga tregtia ndërkombëtare dhe qarkullimi i kapitaleve, rritja e fuqishme e tregjeve të reja do të vijë pas mëkëmbjes së përgjithshme botërore. Tregjet e reja, me gjallëri më të madhe, do të jenë sërish motori kryesor i rritjes botërore.
Do të shpejtohet rritja e normës së interesit
Para krizës financiare botërore të vitit 2008, vendet e G10-së [grupi i vendeve që marrin pjesë në Marrëveshjet e Përgjithshme të Huadhënies, si Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia, Suedia, Zvicra, etj.] i kishin mbajtur normat e interesit me afat tremujor mbi nivelin e inflacionit dhe niveli mesatar arrinte 3.1 për qind. Ndërsa, pas krizës financiare, për një kohë të gjatë, normat e interesit në G10 u detyruan të ishin nën 1 për qind. Nga viti 2008 deri në vitin 2017, fuqia nxitëse e sjellë nga masat lehtësuese monetare gjithmonë zhbëhej nga kërkesa e përgjithshme e pamjaftueshme. Ndërsa pas vitit 2017, hendeku i prodhimit është në rënie, madje në zhdukje, masat lehtësuese monetare sjellin më pak rritje dhe më shumë inflacion dhe masat stimuluese financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si reforma fiskale, ka shtuar parashikimet për inflacion. Në këto kushte, qysh nga tremujori i katërt i vjetshëm, G10-ta ka rritur normat e interesit me afat tremujor mbi 1 për qind, duke shënuar nivel rekord në nëntë vjetët e fundit.
Kështu, për t’u rikthyer në shinat e rritjes së qëndrueshme dhe të vazhdueshme, rritja e normës së interesit duhet të shpejtohet në mbarë botën dhe reforma strukturore në fushën e ofertës duhet të zëvendësojnë masat stimuluese në fushën e kërkesës dhe të bëhet motori kryesor i mëkëmbjes. /Gazeta Ekonomia