AktualitetKosovaTë fundit

Oda e Afarizmit: Kuvendi i Kosovës votoi kundër investimeve dhe zhvillimit të vendit

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) me anë të një reagimi ka thënë se refuzimi për ndryshimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare nga ana e Kuvendit të Kosovës është shkelur Kushtetuta e vendit.
OAK thotë se imponimi në gjininë e udhëheqësve në Korporata dëmton rëndë biznesin, Kushtetutën dhe është një pengesë direkte në ardhjen e investimeve të huaja në Kosovë dhe rritjen e punësimit.

“Ky votim nga ana e Kuvendit të Kosovës më tepër ngjason me vendime të marra në vende komuniste se sa ato kapitaliste dhe tregtisë së lirë, siç është Republika e Kosovës. Arsyetimi i sponzorizuesve për rivotim se ligje të tilla ekzistojnë në Gjermani, Itali e shtete tjera është plotësisht i paqëndrueshëm dhe me tendencë të drejtpërdrejt të pengimit të investimeve dhe të dëmtimit të korporatave në vend. Në disa shtete mund të ekzistojë ndonjë rekomandim i tillë, por jo detyrim që në fillim 40 për qind e pas dy vjetëve 50 për qind e udhëheqjes së bizneseve private t’i takojnë pjesëtarëve të gjinisë së caktuar”, thuhet në njoftimin e Odës së Afarizmit.

OAK kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të reagoj dhe ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës propozimin për ndryshimin e këtij neni.

Oda e Afarizmit thotë se për dijeni të deputetëve votues të këtij neni, si pasojë e mungesës së ligjeve, mungesës së ofertave të favorshme për investime, mosfunksionimit të gjykatave dhe klimës jo të mirë të të bërit biznes, Kosova vazhdon të mbetet shteti më i varfër në Ballkan me shkallën më të lartë të papunësisë dhe buxhetin më të vogël.

Në fund, OAK njofton se do të i përdorë të gjitha mekanizmat e mundshëm në këtë drejtim. /Gazeta Ekonomia

 

Fraksion.com