“I lidhur me krimin”: Gjykata rrëzon padinë e Dakos për Bashën
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar ditën e sotme kërkesë-padinë e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos, ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Vangjush Dako kishte paditur për shpifje kryetarin e Partisë Demokratike për deklaratat që është kapur në përgjim duke bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe se është nën hetim nga Krimet e Rënda.
Por sot mësohet se gjykata ka rrëzuar padinë e kryebashkiakut socialist të Durrësit.
“Kam vendosur ta çoj në gjyq Lulëzim Bashën, si një shpifës profesionist që e ka kaluar cakun e tolerancës time. Ky njeri që gënjen sy për sy kë t’i dalë përpara, një i paaftë që si kryetar bashkie la kokrrën e namit me paaftësinë e me gënjeshtrat e tij dhe si kryetar i opozitës e ka bërë qesharake Partinë Demokratike, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për shumë gjëra.
Por nëse për ato të rëndat fare me dëme ekonomike kolosale, do t’i japë patjetër përgjigjet e veta përballë institucioneve të reja të reformës në drejtësi që ai po bën çmos ta bllokoje, me mua do të përballet e do të përgjigjet përpara gjykatës për shpifjet e tij prej mashtruesi profesionist”, deklaronte Dako kur njoftonte për padinë ndaj Bashës në Dhjetor të vitit të shkuar.
Fraksion.com