Gjiknuri dhe Peleshi në Tepelenë: Gati projekti i Bypass-it; Ja çfarë do mbështesim në bujqësi
Investimet në infrastrukturë, mbështetja e sektorëve të veçantë përmes skemave në bujqësi, si dhe përmirësimet ligjore në proces ishin pjesë e takimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe atij të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Tepelenë, në kuadër të llogaridhënies.
Në fjalën e tij, ministri Damian Gjiknuri u ndal në projekte konkrete duke ju referuar Bypass-it të Tepelenës që fillon ndërtimin brenda vjeshtës dhe rrugës Kardhiq-Delvinë.
“Disa angazhime që i kemi marrë për Qarkun e Gjirokastrës dhe për popullin e Tepelenës do t’i bëjmë realitet. Këtu janë bërë shumë investime, Tepelena është transformuar. Kemi hapur një procedurë edhe për të zgjidhur Bypass-in e Tepelenës, do jetë një investim goxha i madh që do krijojë mundësi edhe për punë këtu në zonën e Tepelenës. Kompanitë në fund të fundit do të marrin edhe njerëz këtu apo do të jenë shërbime në funksion të këtyre veprave. Janë 18 milionë euro investim për këtë vepër. Shumë shpejt do të fillojmë edhe rrugën Kardhiq-Delvinë. Pra, edhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për njerëzit këtu që të komunikojnë ndërsa rritja e lëvizjes në drejtim të Sarandës patjetër do të sjellë një zhvillim ekonomik për atë zonë. Ndikimi ekonomik do të shpërndahet kudo”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh optimist për ecurinë e skemave të mbështetjes për fermerët e Qarkut Gjirokastër.
“Nga Qarku i Gjirokastrës, me përjashtim të ujitjes me pika ku ne pamë se kishte një interes jashtëzakonisht të madh dhe herën tjetër do t’i rrisim fondet, në të gjithë skemat e tjera fituan të gjithë ata që aplikuan”, theksoi Peleshi.
Ai u ndal edhe tek reformimi i shërbimit veterinar dhe projektligji që po bëhet gati për të kaluar në Parlament.
“Ne tani kemi bërë gati një ligj, dhe besoj brenda korrikut do ta çojmë në Parlament për reformimin e shërbimit veterinar. Me dy fjalë, ky ligj korrigjon dy gjëra, e para shmang atë amullinë e shërbimeve veterinare dhe të veterinerëve, se sot kemi veterinerë bashkie, veterinerë të AKU-së, veterinerë të shërbimit rajonal të drejtorisë së bujqësisë, kemi klinika veterinare, kemi veterinerë autonomë. Secili nuk di se ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia, shpesh herë një punë iu takon të dyve ta bëjnë dhe se bën askush. Me këtë ndryshim, ne po ia japim të gjithë kontrollin një institucioni. Nuk do ketë më veterinerë të bashkisë, Bashkia nuk do merret me shërbimin veterinar. AKU do të bëjë kontrollin nga ferma e deri në dyqan, në tavolinë. Ndërkohë shërbimi veterinar synon të ketë për çdo njësi administrative, ish-komunë, të ketë të paktën një veteriner”, nënvizoi Peleshi.
Ai tha se qeveria po mbështet edhe nxitjen e agroturizmit, sepse po u hap një agroturizëm do të thotë, një strukturë me 10 apo 15 dhoma pranë një ferme blegtorale apo bujqësore çka ndikon në punësimin e njerëzve por mbi të gjitha mban edhe të gjithë fermerët me punë./Monitor
Fraksion.com