AktualitetBota+Të fundit

Gazetarë koreano-jugorë në Korenë e Veriut për mbylljen e objektit bërthamor

Tetë gazetarë koreanojugorë kanë shkuar sot në Korenë e Veriut, pasi Pheniani dha një miratim të minutës së fundit, që grupi të vëzhgojë çmontimin e objektit ku zhvillohen provat bërthamore.

Koreanojugorët ishte në plan t’i bashkoheshin të martën një grupi gazetarësh të huaj nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina dhe Rusia, që po udhëtonin me avion nga Pekini për në qytetin koreanoverior Uonsan. Por Seuli tha se grupi i gazetarëve nuk mund të udhëtonte me atë avion, pasi Pheniani refuzoi t’i pranonte ata.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut tha se më në fund tetë gazetarët u lejuan të udhëtonin sot për në Korenë e Veriu. Ata shkuan me një fluturim direkt në Wonsan, me një avion ushtarak.

Grupi më pas do të udhëtojë për rreth 12 orë me tren, disa orë të tjera me autobuz dhe më këmbë, për të arritur më në fund në vendin ku bëhen provat me raketa, Pungji, në rajon të thellë malor.

Qendra e provave Pungji, ku Koreja e Veriut i ka kryer të gjashta provat me raketa, është në plan të çmontohet të mërkurën, deri të premten, në varësi të motit./ VOA

 

Fraksion.com