AktualitetEkonomiTë fundit

Euro vendos rekord të ri; Zbret në 126 lekë

Rënia e monedhës së përbashkët nuk ka të ndalur. Euro u këmbye sot me 126.74 lekë, duke rënë me 0.15 lekë në krahasim me ditën e mëparshme. Ky është një tjetër nivel rekord i 10 viteve të fundit, që nga shkurti i vitit 2009.

Ardhja e turistëve, teksa sezoni këtë vit ka filluar që ne maj, është një nga arsyet që po ndikon, sipas eksperteve, krahas faktorëve të tjerë që kanë rritur gradualisht ofertën për euro në treg, si investimet e huaja apo shitjet në euro në tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, për katër mujorin, në vend kanë hyrë rreth 1 milion shtetas të huaj, me një rritje prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku u konstatua rritje e ndjeshme e polakëve, italianëve e shtetasve të tjerë. Në rritje ishin dhe pushuesit nga Kosova, ndryshe nga viti i kaluar kur ata e “braktisën” Shqipërinë.

Këtë vit pritet një numër rekord turistësh, teksa hotelet në Durrës kanë deklaruar se ata janë të prenotuar 100% duke filluar nga qershori deri në tetor. Ketë vit pritet një numër i lartë turistësh nordikë që kanë të ardhura të larta e si rrjedhojë pritet të shpenzojnë.

Ekspertët presin që tashmë që efektet sezonale kanë nisur, euro të vijojë të jetë e dobët deri në fund të verës.

 

Fraksion.com