AktualitetEkonomiTë fundit

Ahmetaj për turizmin: Problem infrastruktura? Do ta zgjidhim me programin “1 miliard euro”

Sektori i turizmit ndodhet në një moment të rëndësishëm të tij, ku nga njëra anë ka rritje të interesit për vendin tonë, nga ana tjetër një seri politikash nxitëse për investime por në finale nje infrastrukture problematike. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pranoi se turizmi shqiptar e ka të vështirë të konkurrojë me cilësinë që ofrojnë vendet fqinje por se paketa 1 miliard euro pritet të ketë ndikim pozitiv për ofrimin e një infrastrukture të gjerë dhe cilësore.

“Paketa prej 1 miliard euro në këndvështrimin e rritjes së ndërlidhjes bën një punë të konsiderueshme për të ndryshuar një herë  e mirë infrastrukturën në funksion të konektivitetit dhe turizmit. Kur të ketë mbaruar besoj në tetor gjithë procedura konkurruese që bën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sa i përket PPP-ve në infrastrukturën rrugore, qytetarët shqiptarë do shohin qartë se kemi si politikë investuese përmirësimin e një aksi veri- jug por me vizion në shërbim të ofertës ekonomike turistike të tanishme” tha Ahmetaj.

Ai u ndal tek politikat lehtësuese të dhëna nga qeveria përmes paketës fiskale të vitit 2018 për strukturat akomoduese “hotele me 5 yje status special” të cilat kanë tatimfitim zero për 10 vite, zero taksë infrastrukture si dhe TVSH-në 6 për qind në furnizimin e shërbimeve brenda këtyre strukturave që nuk kufizohet vetëm me fjetjen siç është për gjithë sektorin.

Madje Ahmetaj dha edhe lajmin se tashmë është gati projekti i parë për një resort në Jug të vendit me një numër të konsiderueshëm dhomash dhe që do të diskutohet në Komitetin e Investimeve Strategjike për të përfituar nga paketa e lehtësive.

Ministri tha se aktualisht është në diskutim edhe paketa e lehtësimeve për agroturizmin

Reflektim për PPP-të?

Kreu i Financave deklaroi se aktualisht një draft i legjislacionit për partneritetin public privat është në diskutime duke pasur në fokus disa ndryshime.

“Sa i përket edhe formacionit legal të Partneritetit Publik Privat po bëjnë një përmirësim të konsiderueshëm në legjislacion. Praktikisht për shumë sektorë po heqim dorë nga ofertat e pa kërkuara. Ka qenë një diskutim i gjatë mes nesh BB, FMN, KE dhe USAID dhe qeveria po kalon në një fazë të dytë për mendimin tim shumë më të thelluar dhe shumë më të zgjuar në aspektin e menaxhimit të riskut. Pra duke filluar nga fundi I vitit 2019 sërish është një mendimarrje qeveria shqiptare nëpërmjet ligjit nuk do të lejojë më oferta të pa kërkuara në shumë sektorë dhe do të vazhdoje vetëm me ofertat e kërkuara gjë që besoj bën një diferencë shumë të madhe në gjithë atë diskutim debat apo pikëpyetje që kanë ngritur në këto 27 vite për PPP  “ tha Ahmetaj.

Ministri bëri deklaratat gjatë prezantimit të Projektit “P.A.S.T4Future – Promovimi i Turizmit të Aksesueshëm dhe të Qëndrueshëm”./Monitor

 

Fraksion.com