Transparenca për tarifat: AKEP detyron kompanitë t’i publikojnë 15 ditë para hyrjes në fuqi
Tarifat që vendosen nga sipërmarrësit në tregun e komunikimeve elektronike duhet të jenë transparente dhe të publikohen jo më vonë se 15 ditë nga data e hyrjes në fuqi. Është kjo një ndër ndryshimet që sjell rregullorja e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.
“Bazuar në problematikat e evidentuara, AKEP çmoi si të rëndësishme miratimin e ndryshimeve të cilat synojnë përfshirjen në rregullore të afateve të qarta për sipërmarrësit në lidhje me njoftimin e pajtimtarëve, publikimit dhe paraqitjes në AKEP të tarifave të shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre.
Për këtë arsye, në nenin 8 të Rregullores janë ndryshuar dhe saktësuar afatet përkatëse të detyrimit për njoftimin e pajtimtarëve, publikimin e tarifave dhe informimin e AKEP në përputhje të plotë me parashikimet e Ligjit “Për komunikimet elektronike”” thuhet në një njoftim për shtyp të AKEP.
Ndryshimet në rregullore
Janë të paktën nëntë pika që AKEP ka cilësuar sit ë rëndësishme në ndryshimet që i janë bërë rregullores. Ku së pari sipërmarrësit janë të detyruar të paraqesin në AKEP informacionin mbi tarifat e shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre me arsyetimet mbështetëse, jo më vonë se 15 ditë para hyrjes në fuqi të tarifave ose ndryshimeve të tyre.
Së dyti ky informacion duhet të dërgohet në rrugë elektronike dhe/ose shkresore. Forma e dërgimit të të dhënave në rrugë elektronike do të jetë e disponueshme edhe në faqen e internetit të AKEP.
AKEP-i nga ana tjetër publikon vlerësimin e përgjithshëm krahasues të tarifave aktuale sipas përcaktimeve të nenit 12 te kësaj rregulloreje.
“Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike të njoftojnë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik, çdo ndryshim në tarifat e shërbimeve, jo më pak se 7 ditë përpara hyrjes në fuqi të tyre ose të ndryshimeve dhe ky njoftim duhet të bëhet jo më pak se 3 ditë rresht;
Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të publikojnë në faqen e tyre të internetit kushtet e përgjithshme të kontratave tip dhe t’ia paraqesin ato AKEP-it për vlerësim, të paktën, 15 ditë para publikimit sipas nenit 98 pika 5 te Ligjit.
Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të njoftojnë pajtimtarët për cdo modifikim në kushtet e kontratave për jo më pak se 30 ditë përpara në përputhje me nenin 99 pika 3 të Ligjit.
Sipërmarrësit, të cilëve AKEP ka vendosur detyrime të veçanta për tarifat me pakicë, duhet të aplikojnë afatet dhe rregullat e përcaktuara nga AKEP në mënyrë specifike. Përcaktimet e mësipërme janë të detyrueshme për tu zbatuar për të gjitha paketat e shërbimeve, me parapagesë ose me paspagesë, paketa standarte, oferta, etj. Në mënyrë grafike afatet për njoftimin e pajtimtarëve, publikimin dhe njoftimin e AKEP” thuhet në njoftim.