Thaçi: Shtyllat e Bashkimit Evropian po tronditen
Me ftesë të Këshillit Atlantik dhe qeverisë malazeze, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Forumin e Sigurisë “То be Secure” (2BS).
Presidenti fillimisht ka uruar homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviq, për inaugurimit të tij vetëm dy ditë më parë.
Ai, po ashtu, ka uruar presidentin dhe popullin malazez për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, duke theksuar se 21 Maji është edhe Dita e komunitetit malazez në Kosovë.
Duke folur për perspektivën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Thaçi ka thënë se Mali i Zi shërben si frymëzim për tërë rajonin, duke mos u ndalur kurrë në angazhimin për integrime euroatlantike.
“Ne në Kosovë jemi të lumtur që u bëtë pjesë e NATO-s vitin e kaluar. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Malit të Zi në NATO krijon një garanci më të madhe për stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në rajon”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka pohuar se konstatimi në këtë forum ishte se shtyllat e Bashkimit Evropian po tronditen, së pari nga kriza ekonomike, pastaj nga kriza e migracionit dhe tani nga Brexit.
“Është e rëndësishme kur përballemi me një kontekst kaq kundërshtues, të mos e harrojmë atë që po funksionon aktualisht”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se rritja e popullizmit të krahut të djathtë është një tendencë në Evropë për momentin, por nuk është e vetmja.
Sipas tij, tendenca të ndryshme dhe shpesh kundërshtuese janë evidente në të njëjtën kohë.
“Kishte shumë që parashikuan një efekt domino të Brexit, menjëherë pas referendumit, apo valë të fitoreve të popullizmit. Mirëpo, ajo që kemi parë është se BE qëndron e fuqishme dhe forcat proevropiane kanë fituar në shumicën e shteteve të BE-së”, ka thënë ai.
BE-ja e mbështetur nga NATO-ja, sipas presidentit Thaçi, është projekti më i madh i paqes dhe më i suksesshmi deri më sot.
Presidenti Thaçi ka thënë se problemi qëndron tek grupime që fatkeqësisht BE-në nuk e shohin më si projekt paqeje, derisa 73 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore vetëm gjenerata shumë e vjetër ka kujtime nga lufta.
“Në Ballkanin Perëndimor është ndryshe. Kujtimet e luftës dhe vuajtjet e popullit tim janë ende të gjalla tek të gjithë në Kosovë. Për ne, BE është një shembull i paqes, pajtimit, tejkalimit të së kaluarës dhe rritjes së bashkëpunimit dhe ndërvarësisë në mënyrë graduale”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka shtuar se BE-ja nuk është vetëm një projekt i paqes, por edhe një strukturë qeverisëse supranacionale që vazhdimisht zgjeron dhe thellon bashkëpunimin në të gjitha fushat e politikës.
“Zgjerimi i BE-së nuk duhet të vihen në dyshim. Prandaj, mesazhi im kryesor është: tendenca në rritje e popullizmit e ekstremit të djathtë nuk duhet të përdoret si justifikim për vendet anëtare të BE-së që të mos mbajnë hapur perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në këtë forum, presidenti ka theksuar se për pranimin e suksesshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, ne kemi nevojë për reforma të thella politike e ekonomike dhe harmonizim të AKUIS në Ballkanin Perëndimor dhe reforma të brendshme të BE-së paralelisht.
“Euroskepticizmi i BE-së dhe lodhja me zgjerimin nuk duhet të përdoren nga politikanët në rajonin tonë si një justifikim për të mos u reformuar, për t’u zhvilluar dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është një kohë dhe mundësi për udhëheqësit e Evropës që të marrin përgjegjësinë dhe për të mos ndjekur politikat reaguese për përfitime afatshkurtra.
“Pra të shohim se çfarë është e mirë për Evropën në një afat të gjatë. Është e qartë se përgjigja është një BE e zgjeruar që përfshin Ballkanin Perëndimor në tërësi”, ka thënë presidenti Thaçi.
Forumi i Sigurisë “То be Secure” (2BS) është ngjarje që ndihmon jo vetëm nxitjen e ideve të reja rreth sigurisë, por gjithashtu nxitë edhe të menduarit taktik në përpjekjet për reforma në Evropën Juglindore.
Forumi ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve më të ngushta midis akterëve kryesorë dhe partnerëve, për ta bërë rajonin vend më të sigurt dhe për të kontribuar në tejkalimin e sfidave globale në të ardhmen.
Fraksion.com