AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Zgjerohet hetimi mbi ndërhyrjen ruse

Departamenti i Drejtësisë do të zgjerojë hetimet lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke përfshirë dhe pretendimet e Donald Trumpit se FBI-ja kishte futur një informator për të përgjuar fushatën e tij presidenciale.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë erdhi pas kërkesës së zotit Trump për një hetim dhe takimin e tij të zhvilluar dje me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë do të punojë me udhëheqësit e Kongresit për të shqyrtuar dokumente “shumë sekrete”, në lidhje me pretendimin e presidentit Trump.

Pas një takimi dje me presidentin Trump, zoti Rosenstein tha se “nëse dikush përgjon anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet ta dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.

Ndërkohë, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë bërë një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, duke ndërhyrë në fushatën e vitit 2016. Zoti Mueller po heton gjithashtu, nëse vetë zoti Trump ka penguar drejtësinë, duke shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së James Comey, i cili po hetonte lidhur me akuzat./VOA

 

Fraksion.com