AktualitetEkonomiTë fundit

Projektet në Tepelenë, Rama: Jo vetëm foto me Ali Pashën

Kryeministri Edi Rama prezantoi paraditen e së martës projektet e reja në Tepelenë, qytet në të cilin, tha ai, “deri para pak vitesh askush nuk ndalonte për të qëndruar, pasi ishte vetëm errësirë”.

“Na thonë palma e fasada, por shtëpitë sot në Tepelenë kushtojnë më shumë sesa kushtonin disa vite më parë. Është një rritje e vlerës së pasurisë së patundshme të banorëve në të gjithë zonën urbane. Kanë ardhur edhe suedeze në Tepelenë. Ku bëhej fjalë që të vinin suedeze në atë gropë që ishte Tepelena përpara disa vitesh”, deklaroi Rama.

“Do të punojmë që suedezet e bukura të mos bëjnë vetëm foto me Ali Pashën e të ikin, por të qëndrojnë dhe të shpenzojnë paratë këtu”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para’: minierën e bukurisë së këtyre zonave”.

“Nëse shfrytëzojmë agro-turizmin, po ju them që kjo zonë do të jetë plot jo vetëm në sezon, por edhe jashtë sezonit. Do të kenë mbështetje financiare nga shteti ata që do të bëjnë investime. Bujtinat dhe hotelet e vogla tradicionale të agro-turizmit sjellin fitime”, u shpreh Rama.

Kryeministri premtoi se në Tepelenë do të nisë puna për ujësjellësin në qershor, edhe pse tha se paratë që duhen janë shumë. “Por, motori i turizmit do të na lejojë të bëjmë investimet e nevojshme”, deklaroi Rama.

 

Fraksion.com