AktualitetEkonomiTë fundit

Pallatet e braktisura, Lame thirrje ndërtuesve: 1 javë kohë

Kreu i ALUIZN-it, Artan Lame, ka bërë disa njoftime të rëndësishme, një ditë pasi qeveria miratoi katër vendime që lidhen me pronat dhe legalizimin e banesave.

Në një konferencë për mediat, Lame bëri me dije se ditën e nesërme do të publikohet lista me emrat e përfituesve nga kalimi i pronësisë së parcelave.

Po ashtu, ai deklaroi se ditën e hënë qytetarët duhet të paraqiten pranë drejtorive të ALUIZN-it për të përfunduar procesin e legalizimeve.

“Duke nisur nga nesër në faqen zyrtare të ALUIZN-it do gjeni listat e qytetarëve përfitues. Të gjitha familjet që do presin prej një viti pronësinë e parcelës së tyre, do përfitojnë. Duke nisur nga dita e hënë qytetarët duhet të paraqiten në drejtoritë për të përfunduar procesin e legalizimit. Duhet të konsultoheni me gazetat”, u shpreh Lame.

Mes të tjerash, kreu i ALUIZN-it u bëri thirrje të gjithë ndërtuesve që kanë braktisur pallatet ku kanë ndërtuar, që të paraqiten pranë drejtorive për të vijuar procedurat për legalizime.

“Vjet në janar u miratua një vendim për formalizmin e ndërtimeve, ai për legalizimin e pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Jemi ndeshur me pafundësi makinacionesh, ndaj ALUIZNI është duke planifikuar një masë ekstreme interesash për ndërtuesit. Iu bëj thirrje ndërtueseve apo subjekteve që kanë një javë kohë për t’iu përgjigjur thirrjes tonë. Do publikojmë javën që vjen masën ekstreme në ndihmë të qytetarëve”, tha Lame.

 

Fraksion.com