Macron: A do të zgjidhë problemin e periferive të Francës?
Presidenti i Francës Emmanuel Macron do të ndërmarrë masa të reja për problemet e zonave periferike rreth kryeqytetit dhe qyteteve të mëdha. Disa udhëheqës të mëparshëm francezë janë munduar me pak sukses të zgjidhin problemin e papunësisë dhe varfërisë në këto zona. Por, a mundet zoti Macron, të cilin disa e quajnë ‘presidenti i të pasurve’, të arrijë më shumë në këtë drejtim?
Edwige Ire është duke kërkuar punë sërish, me shpresën se do ta shndërrojë në karrierë dhuntinë e saj për gatimet e Afrikës Perëndimore. Por, kjo do të thotë se asaj i duhet fillimisht të mësojë bazat e biznesit të restoranteve, si dhe të përshtasë biografinë e saj në mënyrë që të mbulojë një ndër mangësitë e saj të mëdha – adresën e vendbanimit.
“Na duhen më shumë vende pune. Në veçanti për të rinjtë. Shumë prej tyre merren me droga dhe krime të rëndomta, pasi nuk kanë punë”, thotë Edwige Ire, studente e arsimit profesional.
Qyteza Grinji reflekton kulturat e ndryshme që bashkohen aty. Pas vetëm një orë udhëtim me tren drejt jugut të Parisit, mund të gjesh së toku rreth 89 kombësi të ndryshme.
Ashtu si periferitë e tjera me popullsi kryesisht punëtorësh, edhe këtu ka vështirësi. Grinji është ndër qytezat më të varfëra të Francës, me nivelin më të lartë të papunësisë, braktisjes së shkollave dhe analfabetizmit.
“Ne i ndjemë më shpejt se kudo tjetër efektet e krizës financiare të 2008-s. U përshpejtua segregimi dhe përjashtimi… Për herë të parë, njerëzit filluan të flasin për aparteid ekonomik”, thotë Philippe Rio, kryetar i bashkisë së Grinjisë.
Banorët thonë se përballen me sfida të tjera, si diskriminimi.
“Në çdo kompani që shkon, kur shikojnë biografinë dhe faktin që banon në Grinji, tremben”, thotë Hamad Bathily, banor i Grinjisë, me origjinë nga Mali i Afrikës.
Kryebashkiaku thotë se shteti francez i ka braktisur periferitë. Problemet nuk janë të reja. Në vitin 2005, qytezat si Grinji shpërthyen në trazira mbarëkombëtare dhe këtu kanë vazhduar që atëherë.
Në vitin 2015, banori i Grinjisë, Amedy Coulibaly, vrau katër pesona në një supermarket në Paris, përpara se ta vriste policia. Ai i pati premtuar besnikëri Shtetit Islamik.
Tetorin e kaluar, kryebashkiakët e periferive u mblodhën me kërkesën e Grinjisë për të kërkuar një reagim kombëtar ndaj krizës.
“Varfëria është thelluar që nga trazirat e 2005-ës. Rrethinat janë izoluar prej pjesës tjetër të shoqërisë franceze”, thotë zoti Rio.
Presidenti Macron caktoi ish-ministrin Jean-Louis Borloo, për të gjetur zgjidhjen.
“Macron dëshiron të tregojë se ai shqetësohet për çfarë ndodh në cepin tjetër të Francës; se nuk është president vetëm i qyteteve, por president i Francës që ecën mirë”, thotë Bruno Cautres, i Institutit të Studimeve Politike, në Paris.
Maujin e kaluar, zoti Borloo paraqiti një plan të detajuar me një kosto për disa miliardë dollarësh, ndërkohë që qeverisë po i kërkohet të shkurtojë shpenzimet. Kryetarët e bashkive e përkrahin këtë plan, por shumë janë skeptikë se do të realizohet.
Ndryshimet po ndodhin sidoqoftë. Shtëpi të reja dhe një xhami, të financuara nga komuniteti vendas.
“Kemi mbi 500 veta çdo vit dhe mbi 70% e tyre gjejnë punë”, thotë Laurence Richard i Qendrës për Arsimin Profesional të qytezës Grinji.
Kryebashkiaku Rio thotë se qyteza përfaqëson jo vetëm problematikën e perifereve franceze, por edhe shpirtin e tyre të fuqishëm për rezistencë dhe vendosmëri./VOA
Fraksion.com