Detyrimet: Arrin në 205 milionë euro shuma e shtetit, ndaj bizneseve
Shifrat janë bërë të ditura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky i fundit ka ngulur vazhdimisht këmbë që qeveria të ishte e kujdesshme dhe të mos krijonte detyrime të reja ndaj biznesit, gjë që në fakt nuk ka ndodhur, përkundrazi detyrimi u dyfishua në një vit.
Deri në fund të vitit 2016, 71% e totalit të detyrimeve e kishte qeveria lokale (borxhet e bashkive), me 9.4 miliardë lekë, nga 13.1 miliardë lekë që ishte totali i stokut të detyrimeve. Sipas shifrave të FMN-së, në 2017-n, detyrimet e bashkive eu ulën me 184 milionë lekë, ndërsa ka qenë qeveria qendrore ajo që ka krijuar detyrimin më të madh. Detyrimi i qeverisë qendrore pothuajse është pesëfishuar, nga 3.7 miliardë lekë në 17.4 miliardë lekë.
Rritja e detyrimit të qeverisë qendrore ka ardhur si rrjedhojë e mosrimbursimit të TVSH-së, i cili është dhjetëfishuar nga 1.9 miliardë lekë në 11.7 miliardë lekë.
Në total, në fund të vitit 2017, nga 26.7 miliardë lekë që është detyrimi total që duhet shlyer, 65% i takon qeverisë qendrore, 35% asaj lokale. Vetëm rimbursimi i TVSH-së zë 35% të detyrimeve totale.
FMN thekson se adresimi i dobësive në kontrollet buxhetore dhe të angazhimeve për të paguar, sistemi i Thesarit dhe menaxhimi i parasë së gatshme janë vendimtare për të parandaluar krijimin e borxheve të reja dhe përshpejtimin e pastrimit të stokut aktual. Duke qenë se borxhi paraqet deficite fiskale të paregjistruara, është e rëndësishme që të forcohet regjistrimi i angazhimeve buxhetore dhe regjistrimi i faturave të papaguara. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7 përqind e PBB-së, nga të cilat pagesat e prapambetura të TVSH-së përbënin 0.7 përqind të PBB-së. Rreth 80 përqind e totalit të borxheve të TVSH-së lidhet me tre tatimpagues të mëdhenj, thekson FMN./Monitor
Fraksion.com