SportTë fundit

“A ka rekord Guinness për mua?”. Nainggolan s’e kapërdin mungesën në Botëror

Përjashtimi nga përfaqësuesja belge për Botërorin e Rusisë nuk është kapërdirë nga Radja Nainggolan.

Mesfushori i Romës, pas një postimi të tij në rrjetet sociale, dha edhe një intervistë për medien belge, ku nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të marrë nga trajneri Roberto Martinez, i cili nuk ka mundur të administrojë karakterin e Nainggolanit.

“Unë kështu jam, nuk mbaj dot maska, s’kam çfarë të bëj. U lodha me etiketimin ‘djali i keq’ që më është vënë. Futbolli është ende një hobi për mua, që është kthyer edhe në profesion. Por, unë dua që të më gjykojnë për lojën time, jo për atë çfarë bëj jashtë fushe. Nuk e di nëse do të na duhet të flasim ndryshe për Maradonën për këtë motiv. Çdokush është i lirë të bëjë atë që do, nëse në fushën e lojës bën paraqitje të mira”, tha Nainggolan.

Për Nainggolan, kjo do të jetë hera e dytë radhazi që nuk do të jetë protagonist në një kompeticion si Kupa e Botës, e në këtë pikë mesfushori belg u tregua edhe më i ashpër në drejtim të Martinezit.

“Mjaft, nuk dua të luftoj më. E kam pasur ëndërr që fëmijë të luaj një Botëror, por ma shuan këtë ëndërr. Ndërkohë, mendoj se jam në librin e rekordeve Guinness, pasi jam i vetmi futbollist i një niveli kaq të lartë, që nuk i jepet mundësia të luajë në dy Botërorë radhazi. Është diçka e pakuptueshme, që arrin të më bëjë edhe të qesh”, deklaroi Nainggolan./TCH

 

 

Fraksion.com