Rikthim pas 6 vitesh në Champions, por nga vazoja e katërt
Në pritje të finales së Champions League mes Realit dhe Liverpoolit, e me kampionatet europiane thuajse të përfunduara, edicioni i ardhshëm i kompeticionit më prestigjioz për klube nis të projektojë edhe vazot e shortit të grupeve.
Juventusi do të jetë me siguri në vazon e parë, si kampion i Italisë (me kampionët e tjerë, fituesin e finales dhe fituesin e Europa League), ashtu sikurse Napoli e ka të garantuar vazon e dytë. Roma, ndërkohë, deri më tani ka të garantuar të qenit në vazon e tretë, por mund të shpresojë të ngjitet në vazon e dytë, nëse Reali do të fitojë ndaj Liverpoolit, pasi nëse triumfojnë “The Reds” do të jenë anglezët në vazon e parë dhe madrilenët në të dytën.
Por, edhe në rast fitoreje të “Los Blancos”-ve, Roma nuk e ka të garantuar mundësinë e ngjitjes në të dytën, duke qenë se duhet të shpresojë që njëra mes Benfikës dhe Bazelit (që do të luajnë në turet parakualifikuese, respektivisht të tretën dhe të dytën) nuk do të mund të kalojë fazën e “play off”-eve.
Në fund, por jo më pak e rëndësishme, flitet për Interin. Një skuadër që siguroi përfaqësimin e Italisë në edicionin e ardhshëm të Champions League vetëm në javën e fundit, në fitoren e pabesueshme dhe emocionuese ndaj Lazios. Por, edhe pse rikthehet pas 6 vitesh në Champions, zikaltrit do të duhet ta nisin nga vazoja e katërt e shortit të grupeve./TCH
Fraksion.com