“Partia nuk ka punë me Drejtësinë”, Rama flet në Dropull për arrestimet VIP
Dropulli ka qenë ndalesa e sotme e qeverisë ku është zhvilluar turi i radhës së dëgjesës me qytetarët. Ndërkohë që një këshilltar i Bashkisë së Dropullit e ka cilësuar arrestimin e Spiro Kserës si një provokim ndaj pakicës kombëtare greke.
Në fjalën e tij, këshilltari i prezantuar si anëtar i PD tha gjithashtu para Ramës se deklaratat e këtij të fundit për Kosovën janë provokuese dhe nacionaliste.
Por kreu i ekzekutivit i ka mohuar kategorikisht pretendimet e banorit të Dropullit teksa tha se arrestimet nuk komandohen më nga partia apo kryeministri, por nga drejtësia.
“Së pari qeveria nuk arreston. Ato i bën Prokuroria dhe këtë e kam edhe për shumë të tjerë që duke qenë i dëshpëruar nga shumë vitë padrejtësie, ka humbur durimin dhe më drejtohet mua: Pse nuk fut në burg këtë apo atë. Lavdi popullit shqiptar në vitin 1990 sistemi ku të fuste në burg partia, mori fund. Sot jemi në një sistem ku këtë gjë e bën vetëm drejtësia. Ne kemi ndërmarrë pas shumë vitesh një reformë që të tjerët nuk e çuan nëpër mend dhe në një kohë rekord ne kemi ndryshuar kushtetutën dhe një sërë ligjesh” – tha Rama.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u shpreh se me ish-ministrin Ksera ruan marrëdhënie miqësore.
“Shpresojmë dhe urojmë që të mos jetë e largët koha, kur sistemi i drejtësisë të bëjë ato gjëra që kanë mbetur pezull prej vitesh. Në raport me Spiro Kserën më vjen keq që e përmend sepse personalisht kam pasur një raport miqësor. Problemet e mia me drejtësinë nuk janë të miat apo të qeverisë. Të atij apo kujtdo tjetër, nga cilado parti, janë individuale të gjithësecilit” – tha Rama në Dropull.
Ai mohoi pretendimin se ka bërë thirrje për bashkim me Kosovën apo pretendime të tjera territoriale të Shqipërisë.
“Nuk e di ku e ke dëgjuar, por nuk e ke dëgjuar nga mua që Shqipëria të shtrihet në jug apo në veri. Përsa i përket shifrave që na the, nuk janë të vërteta. Për 150 dropullitë që janë masakruar këtu apo atje, janë të pavërteta. Një përfaqësuese e keni në qeveri. Pra jeni në kushtet e konsideratës dhe jo të diskriminimit” – tha kreu i ekzekutivit.
Fraksion.com