AktualitetBota+Op-EdTë fundit

Ndërrim pushteti në Irak

Ai që votoi në Irak për Muktada al-Sadrin, e bëri këtë sepse synoi diçka shumë të përcaktuar, mendon Rainer Hermann nga Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Edhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare të së shtunës së kaluar qe i ndryshëm nga ai që kishte shpresuar Perëndimi: për Irakun ai ofron megjithatë shanse. Sepse për herë të parë që prej fitores kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe që prej rimarrjes së Mossulit, tema që i mbizotëronte të gjitha të tjerat nuk ishte më siguria, por korrupsioni i gjithanshëm.

Bojkot me pasoja fatale?

15 vjet pas rrëzimit të Saddam Huseinit, Iraku bën pjesë në vendet më të korruptuara të botës. Të ardhurat nga nafta nuk derdhen në një shtet funksionues me shërbime funksionuese. Për më tepër, shteti irakian është bërë një dyqan vetëshërbimi i një klase politike që pasurohet në mënyrë të pafre.
Prandaj aktivistët patën bërë thirrje për një bojkotim të zgjedhjeve, të cilin shumë, para së gjithash në Bagdad dhe në shtresën e mesme, edhe e ndoqën. Pjesëmarrja në zgjedhje nga ky shkak qe vetëm 45 përqind, në vitin 2014 patën shkuar 60 përqind e votuesve në zgjedhje.
Thirrjen për t’i bojkotuar zgjedhjet nuk e dëgjuan megjithatë mbështetësit e fituesit të zgjedhjeve, të predikuesit shiit Muktada al-Sadr, të cilët para së gjithash vijnë nga shtresat e varfëra të shtresës së ulët.
Sadr e pati bërë luftën kundër korrupsionit dhe pastrimin e stallave të Avgjisë në shtetin irakian në temën më të rëndësishme të fushatës së tij elektorale. Tani predikuesi duhet të ofrojë rezultate dhe ta thajë kënetën e korrupsionit. Me sa duket janë të shumtë ata që besojnë se ai mund ta bëjë këtë.
Duarbosh mbeti lista e kryeministrit të deritashëm Haidar al-Abadi, të cilit i njihet merita që në bashkëpunim të ngushtë me SHBA e drejtoi në mënyre efikase luftën kundër “Shtetit Islamik”. Veç kësaj ai kishte fituar besimin e minoritetit sunit, i cili qe margjinalizuar nën paraardhësin e tij, Nuri al-Maliki. Në këtë mënyrë Abadi e stabilizoi kështu edhe më tej Irakun.

Edhe këtu: Arabi Saudite përballë Iranit

Të dy fituesit e zgjedhjeve të 12 majit, Sadr Hadi al-Ameri, përfaqësojnë një Irak të karakterizuar fort nga feja islame shiite.
Nacionalisti irakian Sadr, i cili drejtoi më 2003 rezistencën kundër pushtuesve amerikanë, do që ta rrënjosë Irakun fort në botën arabe dhe vizitoi për këtë Arabinë Saudite, e cila ka kohë që është tërhequr nga Iraku. Por Ameri është njeriu i Iranit në Bagdad. Ai komandon milicët e fuqishëm shiitë të vendit, të cilët shkollohen dhe financohen nga Irani.
Për t’i forcuar atij krahët, komandanti i njësisë elitë iraniane të Brigadave-Quds, Qassem Soleimani shkoi që në ditën e zgjedhjeve në Bagdad. Me sa duket ai do t’i imponojë el Sadrit një koalicion me Amerin, gjë që Sadr e mohon me vendosmëri. Iraku do të bëhet me këtë një vend tjetër i konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Iranit./Rainer Hermann (FAZ)/DW

 

Fraksion.com