Donald Trump dhe zhbërja e rendit botëror
Donald Trump ka vazhduar me axhendën e tij të prishjes së rendit botëror ashtu si e njohim. Eshtë tërhequr nga shumë marrëveshje, u ka kthyer shpinën aleatëve evropianë, të cilët mund të kundërpërgjigjen. Dhe në Lindjen e Mesme, me veprimet që po bën, mund të jetë duke nxitur një garë armatimi dhe në fund, një luftë. Bota.al sjell një përmbledhje të analizave më të mira në mediat ndërkombëtare
Ai e ka thënë gjithmonë, që do ta vendoste Amerikën të parën. Tani duket se për Presidentin Trump, kjo nënkupton Amerika e Vetme. Që kur erdhi në pushtet vitin e kaluar, Trumpi ka bërë gjithçka për të izoluar SHBA nga aleatët e vet tradicionalë, dhe prishur rendin e brishtë botëror, shkruan Barbara Slabin në “The Hill”.
Në vitin 2017, ai sfidoi kritikët duke tërhequr SHBA nga marrëveshja e klimës e Parisit. Trumpi është tërhequr edhe nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Trans Paqësorit; ka vazhduar me kritika ndaj NATO-s; ka kërcënuar me tarifa të reja tregtare që do të kishin ndikim mbi prodhuesit evropianë; ka dëmtuar procesin e paqes në Lindjen e Mesme duke zhvendosur ambasadën e SHBA në Jeruzalem; dhe ka tërhequr SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e vitit 2015.
Në ditët para se Trumpi të bënte atë shpallje javën që kaloi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishin udhëtuar në Uashington për t’i bërë thirrje presidentit që të ndryshonte mendje. Por më kot.
Nuk duhej të habiteshim aspak, shkruante The Independent. Trumpi, sërish, po përmbushte një premtim që kish bërë gjatë fushatës elektorale, si dhe po vazhdonte me misionin e tij “fëmijëror” për të “zhbërë” – thjesht për hir të të zhbërit – gjithçka që paraardhësi i tij ka arritur në detyrë”.
Por dalja nga marrëveshja me Iranin bën dallim nga të tjerat, shkruante Philip Stephens në “Financial Times”: ajo shënon “shkëputjen më të madhe në marrëdhëniet transatlantike, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Trumpi, praktikisht i ka kthyer shpinën Evropës, për t’iu bashkuar një aleance të pazakontë mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dy vende që po u bien daulleve të luftës me Iranin.
Por Trumpi kishte të drejtë për një gjë: marrëveshja me Iranin nuk ishte e mirë, shkruante Janet Daley në “The Sunday Telegraph”. Sigurisht, u shkonte për shtat evropianëve që të kishin mundësi të bënin biznes me Iranin – Franca dhe Gjermania kanë përfituar jo pak prej saj, dhe tashmë janë trembur se sanksionet e SHBA do ndalin një treti që vlen miliarda. Por marrëveshja nuk kërkonte mjaftueshëm nga Irani në këmbim: ai do i mbante raketat balistike me rreze të gjatë veprimi; bazat e tij ushtarake nuk du nënshtroheshin inspektimeve; dhe atij i ishte kërkuar vetëm të pezullonte, jo të mbyllte, programin e vet bërthamor. Ideja optimiste e Barak Obamës ishte se gjatë pauzës 10-15 vjeçare, ekonomia e Iranit do të lulëzonte, dhe të rinjtë e të moderuarit properëndimorë do të përparonin, duke e zbutur kështu mbërthimin e teokracisë shiite.
Por Teherani nuk i përdori të ardhurat shtesë për të përmirësuar jetët e njerëzve. Ai i përdori për të fuqizuar harkun e influencës shiite në rajon, duke financuar terrorizmin dhe inkursionet ushtarake në Jemen (ku Irani po lufton një luftë përmes të tretëve, me Arabinë Saudite), Siri (ku Izraeli pretendon se 80 000 luftëtarë shiitë janë nën kontrollin iranian), Liban (ku armiku i Izraelit, Hezbollahu i mbështetur nga Teherani është një forcë e madhe) dhe në Irak. Shkurt, shkruante The Daily Telegraph, vendimi i Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja merr më shumë kuptim, sa më pranë Iranit që të jetosh.
Po çfarë pret ai që të ndodhë tani? Në Evropë, tre M-të – Macon, May dhe Merkel – ende shpresojnë ta shpëtojnë marrëveshjen, shkruante Eduard Luce në “Financial Times”. Presidenti i Iranit, Rouhani thotë se, nëse gjejnë një mënyrë për ta vazhduar tregtinë, ai do i përmbahet. Por kjo gjë çon në një thellim të ndarjes në perëndim: SHBA do vendoste sanksione ndaj enteve evropiane dhe Evropa do të detyrohej të kundërpërgjigjej. Sigurisht, firmosësit e tjerë të marrëveshjes, Kina dhe Rusia, do të vazhdonin të bënin tregti me Iranin dhe do të kundërpërgjigjeshin ndaj penaliteteve të mundshme prej SHBA. Kjo do të kishte një efekt të drejtpërdrejtë mbi bisedimet e Trumpit me Kinën, si dhe shpresat që Pekini të ruajë trysninë mbi Korenë e Veriut, që ajo të braktisë armët bërthamore.
Nuk është e qartë se si, duke hequr dorë nga kjo marrëveshje, Donald Trump shpreson të bindë Kim Jong Un që t’i besojë atij, kur të vijë puna tek Korea e Veriut, shkruante FT. Por i fuqizuar nga ai që duket si sukses me Kimin, Trumpi ka besim se mund të sigurojë një marrëveshje më të mirë prej Iranit, në 90 deri 180 ditët para se të rivendosen sanksionet. Eshtë një strategji me risk të lartë. Po sikur ndjekësit e vijës së ashpër në Iran – të cilëve asnjëherë nuk u pëlqeu marrëveshja e 2015-ës – të përdorin tradhëtinë e Satanait të Madh, për t’u forcuar? Në vend që të kthehen në tryezën e negociatave, ata mund të detyrojnë popullin që të durojë dhimbjen e sanksioneve, dhe të rifillojnë programin bërthamor, duke nxitur kështu një garë armatimi në Lindjen e Mesme.
Trumpi është i përgatitur për atë rezultat, shkruante Christopher de Bellaigue, në “The Spectator”. Ai është i rrethuar nga antiiranianë, duke përfshirë John Boltonin, këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, i cili prej kohësh ka bërë thirrje për ndryshim regjimi në Iran. Nëse nuk ka kapitullim të stilit të Koresë së Veriut, ndoshta do të kemi luftë. Irani është fuqi e keqe, shkruante “Uashington Post”. Por është edhe një qytetërim i lashtë, me lidhje komplekse influence në rajon, i cili i ka rezistuar për dekada të tëra trysnisë dhe sanksioneve të Amerikës. Edhe nëse do mundeshim ta rrëzonim regjimin, a do e dëshironim këtë gjë? Sigurisht, pas 20 viteve të fundit, nuk mund të hapim kutinë e Pandorës. / The Week/ Bota.al
Fraksion.com