AktualitetEkonomiTë fundit

Sistemi bankar shqiptar: Drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në BE?

Jason Mitchell nga revista e njohur ndërkombëtare The Banker analizon sistemin bankar shqiptar. Guvernatori Sejko shpjegon arsyet e rritjes së kredive me probleme deri në 25% dhe planin e masave për të ulur NPL-të në nivele një shifrore. Këndvështrimet e bankierëve*

Bankat e Shqipërisë pritet të rifillojnë kreditimin ndaj sektorit të korporatave, duke qenë se përpjekjet e qeverisë për të ulur kreditë me probleme dhe reformimin e sistemit gjyqësor po avancojnë, duke përmirësuar mjedisin e biznesit dhe duke rritur shpresat për një të ardhme të afërt brenda BE-së, raporton Jason Mitchell për revistën e njohur ndërkombëtare The Banker.

Ashtu si shumë vende të Europës Jugore, edhe Shqipëria i ka vuajtur shumë pasojat e goditjes nga kriza globale financiare e 2007 dhe 2008. Në shtator të vitit 2014, norma e kredive me probleme (NPL) të bankave tregtare në vend arriti kulmin në 25% të kredive bruto, por që prej asaj kohe ajo ka shënuar rënie të ndjeshme në 13.2%. Qeveria beson se periudha e krizës financiare ka qenë një prej më të këqijave që vendi ka përjetuar dhe ajo është optimiste se norma e NPL-ve do të bjerë në shifra njëshifrore deri në fund të 2018.

Që nga kriza, bankat e Shqipërisë kanë miratuar kritere më të rrepta kreditimi dhe bankat më të dobëta janë blerë nga ato më të forta. Një blerje e tillë ishte ajo e Veneto Banka në korrik të vitit 2017 nga Intesa Sanpaolo. Këtë vit, Banka Amerikane e Investimeve, një huadhënës shqiptar i mbështetur nga firma amerikane me kapital privat, NCH Capital, tha se do të blinte filialin në Shqipëri të Bankës Kombëtare të Greqisë, NBG Bank Albania. Një lëvizje e tillë do të zvogëlonte numrin e bankave tregtare në vend në 14.
Sipas Bankës së Shqipërisë, që është banka qendrore e vendit, në mars të vitit 2017, totali i aseteve në sektorin bankar shqiptar ishte i barabartë me 11.3 miliardë dollarë krahasuar me një total të PBB-së prej 14 miliardë dollarësh, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Të kapësh momentin”

“Bankat janë në një pozitë shumë të fortë tani”, shprehet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Ai thotë më tej se, duke qenë se shumica e bankave në Shqipëri janë në pronësi të huaj, edhe pasojat e krizës financiare kanë qenë mjaft të forta këtu. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre rezultojnë të jenë fitimprurëse dhe arritën ta tejkalojnë atë periudhë të vështirë për shkak të një raporti të ulët kredi-depozitë prej rreth 50%. “Që nga periudha e krizës financiare, Banka e Shqipërisë ka rritur mbikëqyrjen e saj dhe bankat e tjera janë bërë më konservatore.

Fatmirësisht, ne nuk kemi pasur asnjë ndikim negativ në vend si pasojë e krizës që përfshiu Greqinë dhe problemet e shumta që përfshinë Italinë”, shton z. Sejko. Ai vë në dukje faktin se që nga goditja e krizës financiare, nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme për sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare. Bankat kanë hezituar të japin hua për kompanitë e mëdha, prandaj edhe nuk është parë ndonjë investim i madh nga sektori i korporatave. Kriza e kredive me probleme e goditi vendin tonë për shkak se, ndërmjet viteve 2000 dhe 2008, bankat e vendit dhanë shuma të mëdha për rreth 30 konglomerate shqiptare, kryesisht të përfshira në zhvillimin e pronës, por edhe në sektorin e energjisë. Ato e bënë këtë me supozimin se kolaterali i përdorur për të siguruar kreditë do të rritej në vlerë deri në 20% në vit.

Sidoqoftë, pasi ne u goditëm nga kriza financiare globale, vlera e kolateralit ra në mënyrë të konsiderueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqija që u përkasin këtyre kompanive përbëjnë 65% të totalit të portofolit të NPL-ve të sektorit bankar. Është pak si ajo që ndodhi në Spanjë, thotë z. Sejko. Projektet dështuan dhe bankat nuk mundën t’i rimarrin paratë e huazuara. Në këtë proces u përfshinë dhe gjykatat, por u bë shumë i vështirë ekzekutimi i kredive.
Qeveria ka rënë dakord të hetojë të gjithë gjyqtarët e vendit dhe sigurisht që kjo lëvizje është në të mirë të bankave, sepse do të bëhet më i lehtë ekzekutimi.

Një plan veprimi për kreditë me probleme

Në fund të vitit 2015, qeveria shqiptare dhe Banka Qendrore e vendit filluan të zbatojnë një plan veprimi gjithëpërfshirës me 12 pika për të reduktuar stokun dhe shtimin e NPL-ve. Ai përfshinte ndryshime të mëdha ligjore lidhur me strukturën e falimentimit, ekzekutimin e kolateralit, cilësinë e informacionit të kredisë, trajtimin e klientëve të mëdhenj të korporatave huamarrëse që nuk i kishin shlyer detyrimet e tyre dhe reduktimin e informalitetit. Plani i veprimit u mbështet nga Banka Botërore, me këshilla dhe ndihmë teknike nga FMN-ja.

Qeveria tani ka ngritur organe zyrtare për të hetuar mbi 400 gjyqtarë dhe 400 prokurorë që përbëjnë gjyqësorin e vendit, të mbikëqyrur sigurisht edhe nga një mision ndërkombëtar i përbërë nga ekspertë ligjorë nga BE dhe SHBA. Gati gjysma e tyre pritet që të zëvendësohen nga gjyqtarë dhe prokurorë të rinj. Kjo është një provë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi Komisioni Europian po këmbëngul se qeveria duhet të pastrojë gjyqësorin para se vendi t’i bashkohet BE. Shumica e shqiptarëve po e presin me padurim anëtarësimin në BE, por padyshim që ka edhe një presion të konsiderueshëm politik për të gjithë klasën politike në vend që të mbështesë reformat gjyqësore.

“Depozitat janë rritur me 2% deri 3% në vit”, thotë Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Nga ana tjetër, kreditë nuk kanë shënuar rritje. Bankat u bënë shumë më të rrepta, por edhe huamarrësit pësuan një krizë besimi ndaj tyre. Kërkesa për kredi ka qenë e kufizuar. Kriza çoi në një mbingopje të pasurive të patundshme në treg, duke reduktuar vlerën e kolateralit. Ka qenë e vështirë të konfiskosh një pronë, sepse nuk ka qenë e qartë pronësia e saj. Tani Shqipëria po kërkon aktorë të rinj, të huaj për të hyrë në të gjithë sektorët e biznesit. Më pas, bankat mund të fillojnë t’u japin atyre hua.

Shqipëria ka qenë nën një diktaturë komuniste nga viti 1946 deri në 1992, e cila e izoloi atë nga pjesa tjetër e botës. Në diktaturë, toka dhe prona ishin të shtetit, por pas rënies së saj, të gjithë pronarët e këtyre tokave të marra nga shteti filluan t’i kërkonin ato. Pikërisht ky moment krijoi kushtet e favorshme për rritjen e korrupsionit në sistemin politik dhe atë gjyqësor, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 91, me një rezultat prej 38 pikësh nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në 2017 nga Transparency International.

Reduktim i normës së NPL-ve

“Ne kemi arritur të ulim normën tonë të NPL-ve nga një nivel i lartë prej 40% në 4.1% në një periudhë kohore disavjeçare, në sajë të një kombinimi të shlyerjeve të kredive të dhëna dhe mbledhjes së parave”, thotë Andi Ballta, Drejtor Ekzekutiv në Bankën Amerikane të Investimeve, e cila ka asete totale në vlerë prej 379 milionë dollarësh.

“Ne jemi në gjendje të marrim vendime në një kohë shumë të shkurtër, duke qenë se ne nuk jemi filiali i një banke të madhe. Përparimi me reformën e sistemit të drejtësisë do të përmirësojë cilësinë e portofolave të huave. Kohët e fundit, rregullat e procesit të përmbarimit privat u reformuan në mënyrë që përmbaruesit të marrin 5% të vlerës së aseteve përpara se të kenë mbledhur ndonjë borxh të keq apo të kenë zbatuar ndonjë titull ekzekutiv, duke krijuar stimujt e duhur për përmbaruesit dhe bankat.

“Ne i kemi trajtuar me sukses NPL-të gjatë viteve të fundit”, shprehet Georgios Papanastasiou, Drejtor Ekzekutiv i Alpha Bank në Shqipëri, me një total asetesh prej 713 milionë dollarësh dhe më shumë se 250,000 klientë. “Përveç një ristrukturimi që është i nevojshëm, ekzekutimi i kolateralit mbetet ende një sfidë, por është një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm”. Ne kemi nxjerrë mësime të rëndësishme nga kriza e fundit ekonomike. Ekziston edhe mundësia që disa banka të jenë ende paksa të frikësuara si pasojë e krizës, gjë që i ka çuar ato në vendosjen e kushteve të rrepta për t’u plotësuar përpara dhënies së një huaje.

Sektori financiar shqiptar është i dominuar nga bankat, të cilat përfaqësojnë rreth 90% të aseteve të sistemit. Në mars të vitit 2017, bankat kishin 506 degë në mbarë vendin, 1.6% më pak se në vitin 2015, por katër herë më shumë se në vitin 2005, sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane në vend. Pothuajse 90% e huadhënësve janë në pronësi të huaj, veçanërisht nga grupet bankare nga Austria, Greqia, Italia dhe Turqia. Pesë bankat më të mëdha zotërojnë tre të katërtat e aseteve dhe depozitave të sistemit.

Përmirësimi i financave

Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe e Shqipërisë, me një total asetesh prej 3.01 miliardë dollarësh deri në dhjetor 2016, sipas databazës së “The Banker”. Që nga viti 2006, banka ka qenë në pronësi të grupit privat turk Calik Holding. Raiffeisen (në Shqipëri), një degë e Raiffeisen Bank të Austrisë, është banka e dytë më e madhe, me një total asetesh prej 2.1 miliardë dollarësh. Banka Credins, në pronësi shqiptare-holandeze, renditet në vendin e tretë me një total prej 1.29 miliardë dollarësh.

Në fund të vitit 2017, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjithë sektorin bankar shqiptar ishte 16.6%, shumë më lart se minimumi rregullator prej 12%, ndërsa likuiditeti përbënte 30.2% të totalit të aseteve. Në dhjetor të vitin 2017, rentabiliteti i sistemit u përmirësua, me kthimin e aseteve që arriti në 1.5% në krahasim me 0.7% që ishte në dhjetor të 2016, dhe kthimi i kapitalit e tejkalonte nivelin prej 15.7% krahasuar me 7.5% gjatë një viti më parë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

“Sistemi bankar në Shqipëri është likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës”, thotë Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. Ka ende disa banka të tjera të cilat pritet të nxirren në shitje dhe konsolidimi pritet të vazhdojë. Duke marrë në konsideratë madhësinë e ekonomisë dhe të sektorit, ka ende hapësirë për konsolidim të mëtejshëm, ose të pranohet hyrja në lojë e lojtarëve me reputacion të mirë dhe fitimet e efikasitetit në sistem. Sipas disa ekspertëve, praktikat konservative të huadhënieve të bankave, shpesh të kërkuara nga zyrat qendrore në vendet e tjera, po pengojnë rritjen ekonomike të vendit.

Rritja e PBB-së parashikohet të arrijë në 3.7% në 2018 dhe pothuajse po në të njëjtin nivel edhe në vitin 2019, sipas FMN-së. Kredia e dhënë ndaj sektorit privat vendas llogaritet në vetëm 35% të PBB-së, krahasuar me më shumë se 50% në vendet e rajonit. Ka pasur disa shenja të rimëkëmbjes në dhënien e kredive për ekonomitë familjare, por edhe kjo mbetet nën potencialin e saj. Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të), shtylla e ekonomisë shqiptare, e kanë të vështirë aksesin në financimin afatgjatë.

Sipas znj. Salim, pengesat më të mëdha me të cilat po përballen këto ndërmarrje në financimin e jashtëm janë niveli i NPL-ve dhe kufizimet e lidhura me efikasitetin në sektorin bankar. Informaliteti, mungesa e përvojës së bankës në shërbimin e segmenteve më të vogla dhe më të rrezikshme në ekonomi, si dhe mungesa e diversifikimit në ofrimin e financimit nga institucionet e tjera financiare jobankare janë gjithashtu faktorë që ndikojnë ndjeshëm.

Ajo beson se mënyra më e mirë për të ndihmuar NVM-të është nëpërmjet zhvillimit të institucioneve financiare jo-bankare. Në vitin 2017, në Shqipëri kishte rreth 27 institucione financiare jo-bankare dhe katër shoqëri kursimesh dhe kredish. Dy organizatat kryesore të mikrokredisë janë FedInvest dhe Fondi Besa. Portofoli i kredisë totale të industrisë së mikrokredive në Shqipëri është 570 milionë dollarë. Ato ofrojnë kredi nga 1000 deri në 500,000 dollarë amerikanë, por, në praktikë, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, është shumë e vështirë për kompanitë e vogla që të arrijnë t’i marrin ato hua.

Mundësi të reja

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti (veçanërisht në zonat rurale), nivel ky i vlerësuar deri në 60% të PBB-së. Shoqata Shqiptare e Bankave thotë se llogaritë bankarë në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, shkojnë deri në 98%, por në zonat rurale ato shënojnë rënie të madhe në 50%. Kjo sepse shumë fshatra në Shqipëri ndodhen në zona të thella malore dhe nuk kanë degë bankash në zonat pranë tyre dhe ka më shumë mbështetje në mikrokreditë. “Bankat tregtare nuk kanë një prani të madhe në zonat rurale. Përfitueshmëria në këto zona është e ulët. Infrastruktura nuk është e mirë dhe siguria mund të jetë gjithashtu një prej arsyeve”, thotë z. Brumbulli.

Silvio Pedrazzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Drejtor Ekzekutiv në Intesa Sanpaolo Bank në Shqipëri, banka e katërt më e madhe e vendit, me një vlerë totale asetesh prej 1.16 miliardë dollarësh thotë se tregu shqiptar është ende një i pasofistikuar, që do të thotë se tregjet financiare dhe kapitale ende nuk janë të zhvilluara. Rrjedhimisht, aktiviteti i bankës sonë, vazhdon ai, është përqendruar kryesisht në fushat tradicionale të mbledhjes së depozitave dhe huadhënies, si dhe investimi në letrat me vlerë.

“Një problem tjetër me të cilën ballafaqohet sistemi bankar është ai i nivelit të lartë i “euroizimit”. Në vitin 2017, kreditë në valutë të huaj (kryesisht në euro) përbënin 57% të totalit të portofolave të huave, nga 72% në 2008, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Depozitat në valutë të huaj përbëjnë 53% të totalit, nga 43% në 2008. Autoritetet bankare janë të shqetësuara për përqindjen e lartë të kredive në euro, sepse këto zakonisht nuk janë të mbrojtura nga lëvizjet e pafavorshme të kursit të këmbimit (të ardhurat e huamarrësve janë pothuajse gjithmonë në monedhën vendase në lekë). Prandaj Banka Qendrore dëshiron që të zvogëlojë numrin e tyre në rreth 40% të totalit. Ajo ka vendosur kërkesa relativisht më të rrepta për bankat për asetet likuide në valutë të huaj krahasuar me ato në lekë dhe po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rreziqet që lidhen me kreditë në euro.

Një e ardhme e shndritshme?

Pavarësisht të gjitha reformave strukturore që kërkohen si nga ekonomia ashtu edhe nga sistemi bankar shqiptar, bankierët janë optimistë për të ardhmen. “Shqipëria ofron mundësi që ende nuk janë shfrytëzuar, sidomos në fushën e energjive të rinovueshme, turizmit dhe prodhimit, thotë z. Pedrazzi.

Vendndodhja gjeografike e vendit e bën atë një pikë kyçe për Ballkanin dhe për tregtinë me shtetet europiane. “Unë vërtet besoj në të ashtuquajturin ‘treg rajonal’. Në thelb, një rritje e dukshme në tregtinë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e njohur si WB6, është e mundur. Bankat duhet ta mbështesin një proces të tillë, duke siguruar huadhënie dhe asistencën e nevojshme”, thotë ai më tej.

Edhe Christian Canacaris, CEO në Raiffeisen Bank në Shqipëri, bie dakord. “Në këto kohë, kur teknologjia po ecën shumë shpejt, sistemi bankar mund të zgjerohet përmes dixhitalizimit, në mënyrë që bankat në Shqipëri të ofrojnë të njëjtat shërbime bankare moderne dhe inovative si vendet e tjera, thotë z. Canacaris. Në Shqipëri ekzistojnë ende mundësi të pashfrytëzuara, si sektori i hipotekave, sektori i bujqësisë dhe turizmi, ku potenciali i ardhshëm është i madh. Përveç kësaj, fillimi i negociatave të pranimit në BE do të sjellë më shumë Investime të Huaja Direkte në vend.

Edhe pse Shqipëria është një prej shteteve kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së, së bashku me Malin e Zi, Serbinë, Turqinë dhe Maqedoninë, negociatat e pranimit nuk do të fillojnë deri në momentin që Komisioni Europian do të shikojë përparim të mëtejshëm të reformave në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, bankat e Shqipërisë duhet të jenë në një pozitë të qëndrueshme financiare pas konsolidimit të fundit dhe duhet të jenë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga mundësitë e ardhshme, veçanërisht nëse aderimi në BE bëhet realitet./Monitor

 

Fraksion.com