Evropa ime: Boll glorifikimit të fashistëve!
Evropa ka nevojë për një kulturë të përbashkët kujtese dhe ajo mund të jetë vetëm antifashiste. Kjo e përjashton të menduarin pozitiv për bashkëpunëtorët e nazistëve në Kroaci, Hungari dhe Letoni, mendon Krsto Lazarevic.
Përshëndetje hitleriane, tatuazhe me kryq të thyer dhe simbole fashiste të ustashëve të lidhur me nazistët. Veç kësaj përshëndetja “Za dom Spremni” (Për atdheun gati), korresponduesja kroate për “Sieg Heil” – të gjitha këto u zhvilluan të shtunën (12.05) e kaluar, kur 10.000 vetë përkujtuan bashkëpunëtorët e nazistëve ustashët në Bleiburg të Kärnteni-t. Bëhet fjalë për majin e vitit 1945, kur ushtria kroate e lidhur me nazistët mori arratinë nga ish-Jugosllavia për në Kärnten, në zonën britanike të pushtimit. Por bashkëpunëtorët e nazistëve, ustashët, britanikët ua dorëzuan atëherë partizanëve jugosllavë, gjë që bëri që mbi 45.000 vetë të vriten nga partizanët e Titos.
Në një kohë kur pjesëmarrësit flasin për një “aktivitet përkujtimor”, kritikët e quajnë “takimin më të madh fashist të Evropës”. E gjitha organizohet nga Konferenca Kroate e Ipeshkëve, durohet nga dioqeza austriake Gurk. Anëtarë të rangut të lartë të qeverisë kroate janë të pranishëm në aktivitet. Zyrtarisht bëhet fjalë për një aktivitet kishtar.
Kancelari austriak Sebastian Kurz reagon për këtë temë njësoj, si reagon kur i drejtohen në mënyrë kritike për koalicionin e tij me FPÖ-në ekstremiste të djathtë: ai përpiqet t’i shmanget temës ose jep përgjigje asgjëthënëse. Hipokrizia del në pah në rrethanën që së fundi u ndërhy në mënyrë energjike kundër mbledhjeve politike të nacionalistëve turq dhe të ekstremistëve të djathtë në Austri. Por kur mbi 10.000 kryesisht katolikë kroatë kremtojnë një festë të madhe fashiste, atëherë nuk mund të bësh gjë.
Këshilli i Evropës është i alarmuar
Këshilli i Evropës u shpreh i alarmuar për kthimin në shfaqje të normale të fashizmit në Kroaci, pas orgjisë më të fundit të ustashëve në Bleiburg. Kjo tendencë përforcohet edhe përmes një “glorifikimi” të regjimit të ustashëve fashistë, thuhet në një raport të botuar të Komisionit antiracizëm të Këshillit të Evropës për gjendjen në Kroaci. Hartuesit e raportit kërkuan nga qeveria e Zagrebit që të veprojë në mënyrë më energjike kundër tiradave të urrejtjes si dhe sulmeve me motive raciste ndaj minoriteteve.
Është e diskutueshme nëse partia në pushtet HDZ do ta marrë seriozisht raportin. Shumë shpesh ajo tërheq vëmendjen që ushqen vetë urrejtjen kundër minoriteteve në Kroaci, veçanërisht kundër serbëve dhe romëve. Këto grupe, të cilat u asgjësuan në mënyrë sistematike nën “Shtetin e Pavarur Kroaci” të krijuar nga Hitleri.
Komunitetet hebreje të Kroacisë ka vite që i bojkotojnë ceremonitë shtetërore përkujtimore për çlirimin e kampit të asgjësimit Jasenovac. Ata nuk duan që të përkujtojnë së bashku me politikanë, të cilët u referohen në mënyrë pozitive vrasësve të hebrenjve të regjimit të ustashëve.
A mund ta përfytyroni që Angela Merkel të shkojë në Argjentinë dhe të tregojë atje përpara minoriteteve gjermane se është mirë që pas Luftës së Dytë Botërore gjermanët gjetën strehim në atë vend? Vrasësit masivë si Adolf Eichmann-i dhe Josef Mengele? Me siguri që jo. Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic e bëri një gjë të tillë. Në një vizitë në Argjentinë ajo vlerësoi ata kroatë që arritën pas Luftës së Dytë Botërore të arratisen nga partizanët e Titos në Argjentinë. Që këtu bëhet fjalë për komandantë kampesh përqëndrimi, vrasës masivë dhe bashkëpunëtorë të nazistëve, këtë ajo nuk e përmendi.
Kroacia nuk është rast i veçuar
Shkrimtari Danilo Kis shkroi për nacionalizmin se ai është një “paranojë”, një përfytyrim delirant i shoqëruar njëkohësisht nga humbje e individualitetit dhe e sensit të realitetit. Kjo paranojë bazohet në idenë, që kombi yt është diçka e pastër dhe e pafajshme dhe të gjithë ata që i lejojnë vetes të bëjnë kritika janë armiq me motive të ulëta. Prandaj, në përfytyrimin historik të të djathtëve kroatë ustashët duhet të jenë të mirët, sepse që të pranosh se ata kanë vrarë me qindra mijë njerëz të pafajshëm, kjo do ta njolloste për përfytyrimin e kombit vetjak. Si rrjedhojë pjesëmarrësit e ceremonisë në Bleiburg ndihen si viktima, megjithëse janë ata që glorifikojnë një regjim fashist.
Ky është një zhvillim, i cili ndodh edhe në vende të tjera të Evropës Lindore: një përfytyrim historik i cili është i fokusuar në rolin vetjak si viktima nën pushtimin sovjetik ose nën sundimin komunist. Njëkohësisht, bashkëpunimi vetjak me nacionalistët banalizohet, mohohet dhe në rastin më të keq, glorifikohet.
Në Riga, çdo vit në 16 mars dalin në rrugë me mijëra vetë, për të përkujtuar në “marshin e pjesëmarrëve të legjioneve” pjesëtarët e ushtarëve SS. Viktor Orbani e vlerësoi bashkëpunëtorin e nazistëve Miklos Horthy si një “burrë shteti të jashtëzakonshëm”, megjithëse ai është bashkëpërgjegjës pë deportimin e mbi 600.000 hebrenjve në kampet gjermane të asgjësimit. Në Serbi bëhen diskutime, nëse duhet rehabilituar në pikëpamje juridike bashkëpunëtori i nazistëve Milan Nedic.
Që të zhvillohet si një i vetëm, BE ka nevojë jo vetëm për një opinion më të fortë publik evropian, por edhe një kulturë të fortë të kujtesës. Dhe ajo duhet të jetë antifashiste. Kur nuk arrin të biesh dakord as që nazistët qenë të këqinjtë dhe kur glorifikohen hapur bashkëpunëtorët e disa kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, atëherë Evropën e pret dështimi./Krsto Lazarevic . DW
Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnjë-Hercegovinë dhe është arratisur si fëmijë me familjen e tij në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin, punon si gazetar dhe publicist dhe shkruan për medie të ndryshme gjermanofolëse.
Fraksion.com