AktualitetRajoniTë fundit

Zaev: “Ilindenska Republika Makedonija”, garanton identitet

Në Maqedoni u  zhvillua takimi, në të cilin liderët e partive politike kanë diskutuar për çështjen e emrit dhe negociatat me Greqinë.

Kryeministri Zoran Zaev tha për mediet se emri “Ilindenska Republika Makedonija” është propozimi, për të cilin mund të ketë kompromis me Greqinë.

“Informova presidentin dhe kryetarin e Kuvendit se qeveritë e të dy vendeve flasin për një opsion që mund të jetë Ilindenska Republika Makedonija (Republika Ilindenase e Maqedonisë). Ky është propozimi rreth të cilit mund të ketë kompromis me Greqinë. Me këtë garantohet identiteti i maqedonasve, një vend shumetnik duke përfshirë shqiptarët, romët, turqit, vllehët dhe të tjerët. Ilindeni nuk ka asnjë aspiratë territoriale ndaj asnjë shteti, përfshi edhe Greqinë”, tha Zaev.

Në takimin e inicuar nga kryeministri Zaev morën pjesë presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska,  zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski.

Ilindeni është dita e Republikës në Maqedoni, një festë e rëndësishme kombëtare. Ajo festohet më 2 gusht dhe është edhe një festë e madhe fetare, dita e Shën Ilias. Ajo kujton dy ngjarje të mëdha në vendosjen e shtetësisë së Maqedonisë: kryengritja e Ilindenit në vitin 1903, kundër Perandorisë Osmane, gjatë të cilës u shpall një republikë jetëshkurtër; si dhe Asamblenë e parë të 1944-s, gjatë Luftës së Dytë Botërore, që hodhi themelet e Republikës moderne të Maqedonisë.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me homologun e tij grek Alexis Tsirpas të enjten në kryeqytetin bullgar Sofje, theksoi se Maqedonia dhe Greqia kanë një opsion për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

 

Fraksion.com