Një rajon, një ekonomi! Më shumë ëndërr se realitet
Ballkani Perëndimor është cilësuar që herët si fuçia e barutit e Europës. Me sa duket, mënyra e vetme për të ruajtur stabilitetin e një rajoni që prej vitesh një këmbë e mban drejt Perëndimit dhe tjetrën drejt Lindjes, është integrimi si një ekonomi e vetme.
Mes sfidave të shumta, duke filluar nga ato politike; korrupsioni, kërcënimi nga “ikja e trurit”, probleme të cilat dolën gjatë forumit të nëntë të biznesit në Sarajevë, gjashtë shtete të vogla po përpiqen që të integrohen si një ekonomi. Ndërsa ekspertët e BE-së shtojnë se vendet kanë shtuar barrierat e tregtisë. Cilat janë potencialet dhe kërcënimet për të gjithë rajonin?
Nga Ledina Loga
Vetëm vitet e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të kenë Prodhimin e Brendshëm Bruto në nivelet e para luftës. 27 vite më parë, këto shtete (përveç Shqipërisë) e kanë provuar se ç’do të thotë funksionimi si një ekonomi. Trazirat e shumta politike, etnike dhe fetare; shtete aq sa të ngjashme, po aq dhe të ndryshme, kanë sjellë ngadalësimin e proceseve integruese të këtyre vendeve. Megjithatë, Bashkimi Europian, në kuadër edhe të procesit të zgjerimit, po kujdeset që i gjithë rajoni të lërë pas të shkuarën dhe të integrohet si një ekonomi e vetme. Kjo ishte edhe motoja në Forumin e nëntë të Biznesit në Sarajevë, “Një Rajon, Një Ekonomi”.
Gjatë tri ditëve u zhvillua në Sarajevë Konferenca Ndërkombëtare e Biznesit dhe Investimeve, ku biznese nga shumë vende të botës u prezantuan me mundësitë që ofron rajoni si një i tërë. Në konferencë u ngritën panele diskutimi, ku u evidentuan pikat e dobëta, kërcënimet që po përballet rajoni së fundi, por edhe potencialet e rajonit si një i tërë, si dhe çfarë mund të përmirësohet dhe ku do të përqendrohen përpjekjet e vendeve për t’u forcuar ekonomikisht. Numri i pjesëmarrësve në forum ishte 1800, nga 50 shtete të botës. Në forum u prezantuan rreth 250 projekte dhe u mbajtën 365 takime B2B.
Ballkani Perëndimor, si një ekonomi e vetme
Për vite me radhë, perspektiva e anëtarësimit në BE ka ndikuar në stabilizimin e marrëdhënieve dhe në nxitjen e reformës në një rajon të trazuar dhe të varfër. Shpallja e planit për krijimin e një tregu të përbashkët gjatë Samitit të Triestes u mirëprit nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Një hapësirë e vetme ekonomike me 20 milionë njerëz është më tërheqëse për investitorët se gjashtë shtete të vogla të ndara më vete. Plani për treg të përbashkët do të shfuqizojë të gjitha barrierat e mbetura tarifore, do të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe do të prezantojë rregullat standarde në të gjithë rajonin.
Rreziku i vetëm mbetet se pesë vendet e tjera kanë funksionuar si një ekonomi 27 vite më parë si Federata Jugosllave, ndërsa Shqipëria duhet të integrohet me fqinjët sllavë.
Për Sujeevan Satheesan, kreu i Infrastrukturës dhe Aksesit në Financë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, sfidat në këtë udhëtim rajonal janë të mëdha. Sipas tij, vendet po rrisin barrierat tarifore dhe jo tarifore, dhe kjo është shqetësuese. Gjatë intervistës për “Monitor”, ai shtoi se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit mbështetet mbi bashkëpunimin dhe solli si shembull atë çka ndodh në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një ekonomi, por edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian që, gjithashtu, funksionojnë si një ekonomi e përbashkët. Vendosja e barrierave tarifore dëmton procesin.
Megjithatë, sipas të dhënave të INSTAT, për tregtinë me jashtë, importet e Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë rritur me 3.5 herë, ndërsa eksportet me 5.2 herë. Gjatë vitit 2017, importet nga vendet e rajonit drejt Shqipërisë shënuan vlerën 49.3 miliardë lekë, ndërsa eksportet drejt vendeve të BE-së 40.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, deficiti është thelluar me 3.8 miliardë lekë.
Peshën më të lartë të importeve e zinin importet nga Serbia, me 24 miliardë lekë, apo 51% e totalit. Më pas renditen importet nga Maqedonia me 8.7 miliardë lekë apo 18% e totalit, ndërsa importet nga Kosova zënë 17% të peshës apo 8.4 miliardë lekë. Importet më të ulëta janë nga Mali i Zi, me rreth 3.7 miliardë lekë dhe të Bosnjës me 3.3 miliardë lekë, rreth 7% secila.
Për sa u përket eksporteve, peshën më të lartë e zënë eksportet drejt Kosovës, me rreth 20.9 miliardë lekë, apo 52% e totalit të eksporteve. Eksportet me Maqedoninë gjatë 2017-s ishin 8.4 miliardë lekë, apo 21% e totalit, me Malin e Zi, 5 miliardë lekë. Ndërsa eksportet më të ulëta, Shqipëria i ka me Serbinë, 4.8 miliardë lekë (rreth 5 herë më pak se importet) dhe me Bosnjën, 1.3 miliardë lekë.
Sekreti, konkurrueshmëria e vendeve
Dita e dytë e Forumit të Nëntë të Biznesit në Sarajevë iu kushtua ndikimit të ekonomive europiane në rajon. Paneli që trajtoi tematikën “Zinxhiri furnizues i BE-së dhe ndikimi në kompanitë e gjashtë vendeve të Ballkanit” u fokusua te forcimi i industrisë rajonale nëpërmjet krijimit të zinxhirëve më të mirë të furnizimit dhe më shumë në produktet përfundimtare, si dhe në identifikimin e avantazheve të fqinjëve europianë.
Paneli u drejtua nga përfaqësues të kompanive boshnjake, të cilët diskutuan mbi industritë automotive dhe farmaceutike.
Përfaqësuesi i programit gjerman GIZ tha se kompanitë e mesme dhe të vogla përgjigjen për 95% të ekonomisë boshnjake dhe të ekonomive të vendeve të tjera të rajonit. “Shansi i vetëm për të pasur sukses në tregun global është duke punuar së bashku nëpërmjet grupimeve dhe konsorciumeve, sepse vetëm duke bashkuar forcat, kompanitë mund të arrijnë më shumë”, – tha Karin Hörhan.
Mirsad Jašarspahić, President i Dhomës së Tregtisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, tha se misioni i Odës është të promovojë anëtarët e tij dhe t’i mbështesë ata në gjetjen e investitorëve. Ai vuri në dukje se sektorët më të rëndësishëm janë industria dhe shërbimet dhe solli si shembull bashkëpunimin me Gjermaninë.
“Projekti ynë përfshin hapjen e zyrave tona përfaqësuese për industrinë e automobilave në Gjermani, me qëllim krijimin e bashkëpunimit midis kompanive boshnjake dhe gjermane, si Volkswagen (VW) dhe BMW”, shpjegoi Jašarspahić. Ai shtoi se ata presin një rritje prej 5% në numrin e punëtorëve në industrinë e automobilave.
Martin Gaber, zëvendësdrejtori i Delegacionit të Çështjeve Ekonomike Gjermane në Bosnjë, tha se anketat ekonomike midis kompanive gjermane treguan se shumë prej tyre do të investonin sërish në Bosnjë.
Ikja e trurit, kërcënim për të gjithë rajonin
Për fatin e keq të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duket se eksportet me vlerën më të lartë drejt BE-së janë të rinjtë. Vendet e rajonit duhet që të gjejnë mënyrën se si të mbajnë të rinjtë në vend dhe të rrisin eksportet e të mirave dhe shërbimeve. Shkaqet e migrimit të trurit në vendet e rajonit janë të shumta. Studime të mëparshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nënvizojnë performancën e ulët të tregut të punës, e cila rezulton me papunësi të lartë. Megjithatë, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Gjatë forumit u vu theksi te përpjekjet që duhen bërë për të mbajtur të rinjtë dhe forcën e kualifikuar për punë në vend.
Transformimi dixhital po ndryshon mënyrën se si ne komunikojmë, mësojmë, punojmë dhe jetojmë. Ka ndryshuar mënyra se si bëjmë biznes dhe ndërveprojmë me autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përdorimi i teknologjive dixhitale mund të sjellë përfitime të mëdha për sa i përket shpejtësisë, transparencës dhe efikasitetit përgjatë kufijve në sektorë të ndryshëm.
“Ka sfida edhe për Shqipërinë. Vendet e rajonit janë më para për sa u përket aftësive që po ju mësojnë njerëzve, apo të kapitalit të vlefshëm që kanë për investim. Ajo çka është interesante për Shqipërinë është se po trajnoni të rinjtë në fushën e dixhitalizimit. Duket se jeni liderë rajonalë në këtë fushë dhe kjo është tepër pozitive. Dixhitalizimi do të jetë ekonomia e së ardhmes”, – tha Sujeevan Satheesan, kreu i Infrastrukturës dhe Aksesit në Financë, pjesë e Samitit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Axhendës Dixhitale, WB6 do të mbështesë një qasje rajonale për të nxitur bashkëpunimin ndërqeveritar në çështjet dixhitale dhe lehtësimin e integrimit brenda Tregut të Vetëm Dixhital Europian. Dixhitalizimi është fjala kyçe për të gjithë rajonin.
Për këtë qëllim, agjenda dixhitale synon: zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe përmirësimin e lidhjes rajonale; politikat e harmonizuara të spektrit; politikat e koordinuara të roaming-ut drejt një rajoni pa roaming; siguri më të madhe kibernetike, mbrojtjen e të dhënave; bashkëpunimin në politikat që stimulojnë ekonominë e të dhënave; avancimin e aftësive dixhitale dhe dixhitalizimin e përshpejtuar dhe marrjen e teknologjive të zgjuara në rajonin tonë.
Potenciali i turizmit në rajon
Në industrinë e turizmit, njeriu është i pazëvendësueshëm nga teknologjia dhe nëse të gjashtë shtetet e rajonit do të ishin të lidhur, perspektiva për zhvillim do të ishte më e mirë. Kur vjen fjala te turistë që vijnë nga vendet Azisë së Largët, si Japonia, Malajzia dhe Indonezia, por edhe nga Amerika, e shikojnë rajonin si një të tërë dhe potenciali i vërtetë qëndron te bashkëpunimi midis vendeve të rajonit. Vendet e Europës Juglindore duhet të njihen me mundësitë e tregut global.
Për Snježana Derviškadić, kreu i Projektit të Turizmit në Këshillin Rajonal të Bashkëveprimit (RCC) të gjithë vendet e rajonit e kanë njohur tashmë turizmin si një sektor strategjik, me Shqipërinë e cila aktualisht po e kryeson këto proces, ndjekur më pas nga Mali i Zi. Përveç zonave bregdetare, me vijën e gjatë detare dhe ditët e shumta me diell, turizmi në rajon ofron dhe mundësi të panumërta për zhvillimin e zonave kontinentale. “Potenciali i rajonit qëndron tek ofrimi i diversitetit dhe vendet mund të vendosin lidhje të përbashkëta në të gjithë itineraret e turistëve”, – tha Derviškadić./Monitor
Fraksion.com