AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia e Ilindenit: “Po” apo “Jo”?

Ndërsa emërtimi i ri që pritet të mbyllë kontestin disavjeçar me Greqinë është shoqëruar me heshtje nga Shkupi zyrtar, për një pjesë të opinionit në Maqedoni ka pasur reagime pozitive, duke e cilësuar si një prej zgjidhjeve më të mira të mundshme që mund të arriheshin deri tani. Të tjerë janë të mendimit se simbolika e vetë ngjarjes është përjashtuese për të gjithë popujt që nuk janë maqedonas

 

Evis HALILI

Shkup, 19 maj – Maqedonia e Ilindenit apo Ilindenase, emërtimi i ri që pritet të mbyllë kontestin disavjeçar me Greqinë, është shoqëruar me heshtje nga Shkupi zyrtar, por reagime të ndryshme nga brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse ende nuk dihet se nga ka ardhur ky propozim, pas takimit të kryeministrit Zoran Zaev dhe atij grek Ciprias, shqiptarë e maqedonas e perceptojnë në mënyra të ndryshme propozimin surprizë që erdhi nga Sofja, shkruan gazeta KOHA.

Për një pjesë të opinionit të Maqedonisë, ka pasur reagime pozitive, duke e cilësuar si një prej zgjidhjeve më të mira të mundshme që mund të arriheshin deri tani. Të tjerë janë të mendimit se simbolika e vetë ngjarjes është përjashtuese për të gjithë popujt që nuk janë maqedonas.

Shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë emër dhe të shfaqin pakënaqësinë, thotë analisti Alajdin Demiri. Pasi vetë emri si emër e shpërbën identitetin multietnik të vendit dhe me automatizëm i përjashton të gjithë kombet, të cilat jetojnë në Maqedoni, e posaçërisht shqiptarët, sqaron Demiri. Sipas tij, me këtë emër vetëm bullgarët dhe grekët zgjidhin problemet me Maqedoninë e Pirinit, Egjeut, Antike, duke mbetur vetëm Maqedonia sllave.

“Nga ana tjetër, është edhe jo real, për arsye se paraqet vetëm një kryengritje, ose më saktë vetëm një tentativë për të krijuar shtet, që nuk është një komponent shtetbërës. Vetë kryengritja ndodhi në një lokalitet të kufizuar dhe mbi të gjitha – ishte një tentativë dhe tentativat nuk vlejnë as në histori e as në politikë. Me pak fjalë, s’ka meritë as historike që të madhërohet një ngjarje e tillë”, thotë ish diplomati.

Për publicistin Abdulla Mehmeti, shqiptarët nuk mund të dëmtohen nga ky emërtim i ri, në rast se do të dinë të mbajë qëndrimin e duhur.

“Shihet qartë se në rajon po fryjnë erëra të reja të integrimeve, bëhet rireshtimi i ri i shteteve dhe ndryshime të mëdha në sferën e gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës në rajon, ku fjalën kryesore do ta kenë SHBA dhe BE, përkatësisht NATO. Në këtë kontekst, sipas propozimit të ri, pala shqiptare nuk do të mbetet shumë e dëmtuar, nëse do të dijë më fund ta thotë fjalën e saj, në finalizimin e këtij propozimi dhe nënshkrimin eventual të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë. Emërtimi i ri i shtetit me gjithë të metat e tij, nënkupton edhe krijimin e një koncepti të ri, si shtet i përbashkët shqiptaro-bullgar, i cili po krijohet në kuadër të Ballkanit Perëndimor”, thotë për KOHA Mehmeti.

Analisti Sasho Ordanovski e vlerëson pozitivisht këtë opsion të emrit të ri, si një shans të ri për Maqedoninë.

“Lidhur me këtë propozim, në opinion mund të ketë edhe deklarata të tilla që do të kërkojnë të gjejnë ‘kusuret’ tek kjo zgjidhje e mundshme, nëse për asgjë tjetër, por për çështje principesh, apo edhe për inat të grekëve. Ndoshta dikush do të thotë se ky emër nuk e ngërthen si duhet ‘karakterin antik’ të shtetit biblik, se mezi mund të përkthehet në anglisht, apo se edhe nga një kryengritje e parakohshme dhe e shtypur me shpejtësi nuk mund të ngremë një mitologji identitare? Pa dallim se çfarë fundi do të ketë kjo peripeci, ky propozim është i mirëseardhur si për të ruajtur nderin, por edhe seriozitetin dhe pozicionin e kthyer me mund të shtetit në skenën ndërkombëtare. Iniciativa është në anën tonë, ‘topi’ në këndin e kundërshtarit”, shprehet Ordanovski.

Edhe ish kreu i Parlamentit, Stojan Andov, në një prononcim për KOHA është i mendimit se Maqedonia e Ilindenit është një propozim që meriton vëmendje.

“Kontesti me emrin duhet të zgjidhet njëherë e mirë dhe në këtë situatë është një gjë e mirë që Maqedonia e dha propozimin e vet, dhe atë serioz, vëmendja ndaj të ndaj të cilit të jetë maksimale dhe ndaj tij të gjithë duhet të sillemi me respekt”, thotë për KOHA Andov.

Nga ana tjetër reagime pozitive ka pasur edhe nga fqinjët. Ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov ka deklaruar se me këtë emërtim të dyja vendet i kanë përafruar qëndrimet e tyre.

“Kryengritja e Ilindenit është një kryengritje bullgare, pjesë e historisë sonë të përbashkët. Nuk kemi pretendime për emrin Republika e Maqedonisë, por pretendimet tona janë që të mos injorohet historia dhe jemi kundër përndjekjes së atyre njerëzve me vetëdije bullgare në Maqedoni”, ka deklaruar ministri Karakaçanov./koha.mk

 

Fraksion.com