AktualitetRajoniTë fundit

Iniciativa “Jean Monne” ndihmon dialogun parlamentar në Maqedoni

Përfaqësuesit e partive politike parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë në Ohër kanë filluar bisedimet në kuadër të dialogut “Jean Monne”.

Dialogu “Jean Monne” është ideuar nga tre eurodeputetët Ivo Wiegel, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan. Deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, dhe tre nënkryetarët, diskutojnë kryesisht çështjet që lidhen me Rregulloren e Punës së Parlamentit, Kodin e Etikës dhe pavarësinë buxhetore. Këto bisedime janë të fokusuara për të arritur dakordim për realizimin e angazhimit të përbashkët për realizimin e reformave të kërkuara për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë.Synohet që të arrihet pajtueshmëri sa më e lartë ndërmjet partive politike, që do të ndikonte pozitivisht edhe për punën e kuvendit. Takimi në kuadër të procesit “Jean Monne” mund të konsiderohet si pjesë e reformave të vendit, duke pasur parasysh se çështjet e konstituimit të Parlamentit dhe të pyetjeve të deputetëve janë pjesë e Planit 3-6-9, ndërkaq këto takime duhet të kontribuojnë në përmirësimin e dialogut dhe debatit politik.

Në dialogun që po zhvillohet në Ohër në kuadër të iniciativës “Jean Monne”, egziston pajtueshmëri mes përfaqësuesve të partive politike, thotë kryeparlamentari Talat Xhaferi, që duket i kënaqur që më në fund arriti të ulë në një vend përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Ai pret konstruktivitet në debatin rreth tekstit të kodeksit etik, me të cilin do të rregullohen marrëdhëniet morale-etike në punën e deputetëve. Kodeksi etik po ashtu ishte edhe temë hyrëse në takimin e parë të grupeve parlamentare, të cilët po diskutojnë edhe për rregulloren e Kuvendit dhe pavarësinë buxhetore.

“Ka filluar debat mjaft konstruktiv, frytdhënës në kuptimin e asaj që të gjitha partitë politike janë prezentë këtu. Për faktin që janë prezente këtu nënkupton, se ne në këtë debat do të kemi mundësi që me konsensus të arrijmë deri te konkluzionet përfundimtare për atë se çka duhet të jetë dhe si duhet të duket fillimisht teksti i Kodit Etik për funksionim dhe sjellje të deputetëve”, ka thënë Talat Xhaferri. Ai njëherësh ka paralajmëruar edhe nevojën për gjetjen e modaliteteve për pavarsinë dhe autonominë më të madhe të punës së kuvendit dhe pavarsimit të saj nga veprimet e institucioneve të tjera.

Weigel: Vetë ju vendosni për të ardhmen tuaj

Eurodeputeti Ivo Weigel ndërmjetësues në këtë dialogim të politikëpbërësve në Maqedoni bashkë me eurodeputetët Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, pohon se po bisedohet për të gjitha çështjet për të cilat mund të gjendet konsensus. Ai përkujton deputetët se kur ata flasin apo vendosin, duhet të kenë parasysh ardhmërinë e të gjithë vendt.

“Mendoj se mund të arrihet pajtim në disa çështje për të cilat nuk do të vendosim ne, nuk do të vendoset këtu, e as në qendrën “Jean Monne” në Paris, por do të vendoset në Kuvendin e Maqedonisë. Gjithsesi bëhet fjalë për ardhmërinë e Maqedonisë, pikërisht për këtë jemi këtu, u angazhuam në Marrëveshjen e Përzhinës dhe me kënaqësi të madhe mund të themi se vendi ka bërë një hap të madh para me fitimin e garancisë për hapjen e bisedimeve pa kushte për anëtarësim në BE. Kuptohet që për këtë do të vendosë Këshilli Evropian, por mund të them se jam mjaft optimist”, është shprehur Weigel.

Dialogu në Ohër është parashikuar të përmbyllet me konkludime që do të prezantohen në darkën në të cilën është paralajmëruar prania edhe e liderëve të partive politike parlamentare, kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, lideri i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe atij të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Nëse realizohet, do të jetë takimi i parë i liderëve të partive, pas takimit të kryeministrit Zoran Zaev dhe Alexis Cipras në Samitin e Sofjes. Kryeminsitrat Zaev dhe Cipras në Sofje janë shprehur, se kanë arritur deri te një opcioni, i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët, për t’i dhënë fund kontestit mbi emrin. Pas takimit në Sofje, Zaev ka thënë, se tani vijojnë konsultimet në të dyja vendet me faktorët politikë relevant./ Fatos Musliu/DW

 

Fraksion.com