Spektakli i diskutueshëm elektoral i Erdoganit në Sarajevë
Para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 24 qershor Erdogani shfrytëzon çdo rast për të tërhequr zgjedhësit edhe në botën e jashtme. Të dielën ai mban fjalim në Sarajevë para mijëra turqve, që jetojnë në Europë.
Ky do të jetë prezantimi i vetëm elektoral i Erdoganit në Europë: Në asamblenë e përgjithshme të Unionit të Demokratëve Turq (UETD) në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, Sarajevë, të dielën (20.05) pritet të marrin pjesë rreth 20.000 turq. Kryetari i unionit, Zafer Sarıkaya, e cilëson UETD si n jë organizatë civile, anëtarët e së cilës jetojnë në 17 vende. Ndër to bëjnë pjesë edhe Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Holanda. Për shkak të afërsisë me partinë e Erdoganit AKP kjo organizatë konsiderohet si krahu i zgjatur në Europë i partisë turke në pushtet.
Me autobusë drejt Sarajevës
Zafer Sarıkaya parashikon një vërshim masiv të turqve më 20 maj: “Në Europë jetojnë rreth 5,5 milionë turq. Nëse kini parasysh këtë shifër, mund ta imagjinoni, se sa e mbushur mund të jetë salla. Unë mendoj, që shumë duhet të qendrojnë jashtë, sepse në sallë nuk do të ketë vend.”
“Turqit europianë”, sikurse i quan Sarıkaya, turqit që jetojnë në Europë, do të nisen prej shoqatave të tyre për në Bosnje. Udhëtimi me autobusë ndërkohë është organizuar. Se sa vetë do të udhëtojnë dhe nga cili vend, këtë ai nuk do ta bëjë publike. I pyetur nga DW, nëse fjalimi i Erdoganit para “turqve europianë” është një prezantim elektoral, ai përgjigjet, se “nuk do ta quante kështu.”
Votuesit turq në Gjermani janë vendimtarë
Veçanërisht turqit që jetojnë në Gjermani janë të rëndësishëm për Erdoganin: rreth 1,4 milionë syresh kanë të drejtë vote. Eshtë një numër i konsiderueshëm – në radhë të parë, sepse në zgjedhjet presidenciale secili mund të sjellë ndryshimmin e madh. Vetëm me 50% të votave plus një vote Erdogani mund të sigurojë një mandat të mëtejshëm.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm luajtën për presidentin turk votuesit në Gjermanii edhe në referendumin për kushtetutën në prill 2017. Atëherë 63% e turqve me të drejtë vote votuan për ndryshimet kushtetuese – pra në frymën e Erdoganit. Kësisoj është krejt e kuptueshme, që synohet të tërhiqen sa më shumë vota prej turqve në Gjermani, thotë Gökay Sofuoglu, kryetar i komunitetit turk në Gjermani. Këtë e synon jo vetëm Erdogani, por edhe partitë e tjera.
Ndalim i paraqitjeve të politikanëve turq në Gjermani përpara zgjedhjeve
Pak para referendumit në prill 2017 tensionet mes turqve dhe vendeve të tjera europiane, kryesisht me Gjermaninë, arritën një pikë kulmore. Paraqitjet e politikanëve turq u ndaluan nga autoritetet lokale.
Kjo i indinjoi si politikanët turq ashtu edhe përkrahësit e tyre në Gjermani.
Debati mori fund, pasi qeveria federale në përgjithësi ua ndaloi politikanëve të huaj paraqitjet elektorale tre muaj para zgjedhjeve.
Kryetari i UETD, Zafer Sarıkaya, e kritikon këtë vendim: Ai nuk drejtohet vetëm kundër politikanëve turq. Kryetari i komunitetit turk në Gjermani, Gökay Sofuoglu, mendon ndrsyshe. Ai njeh deputetë të AKP-së, që marin pjesë në veprimtaritë politike në Gjermani. Me sa duket ndalohen vetëm veprimtaritë e mëdha me politikanë drejtues.
Zëmërim për shkak të takimit me futbollistin Özil
Pavarësisht ndalimit të prezantimeve elektorale në Gjermani, Erdogani vazhdimisht tërheq vëmendjen. Së fundi ai ia doli kësaj me një fotografi të vetme, në të cilën pozonte me lojtarët e kombëtares gjermane të futbollit Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan. Takimi tresh në Londër u zhvillua gjatë një vizite shtetërore të presidentit turk duke ndezur gjakrat në Gjermani – edhe të politikanëve.
Por si e vlerësojnë këtë fotografi, ata të cilëve ai në fakt do t’u drejtohet? Brenda komunitetit gjermano-turk në Gjermani mendimet janë të ndara. Kryetari i UETD, Zafer Sarıkaya, nuk e kupton këtë idninjatë. “Erdogani është një president i legjitimuar në mënyrë demokratike dhe fotografia në media paraqitet në mënyrë të njëanshme, sikur kjo të ishte diçka negative”, kritikon ai.
Gökay Sofuoglu thotë: “Do të kishte qenë më mirë, nëse futbollistët si model që mund të jenë të mos e kishin takuar Erdoganin pak para zgjedhjeve.” Por as mediet nuk duhet ta ekzagjerojnë me këtë. Sofuoglu është i sigurtë, se çdo kritikë nga ana e medieve gjermane çon ujë në mullirin e Erdoganit./DW
Fraksion.com