Koment: BE-ja në kurs përplasjeje me SHBA-në
Meqë lidhur me anëtarësimin e Ballkanit nuk kishte asgjë për të vendosur, përfaqësuesit e BE-së mund t’i përkushtoheshin në Sofje tërësisht Trumpit. Kjo për fat të keq është gjithashtu e nevojshme, mendon Bernd Riegert.
Oreksi i shumicës së anëtarëve të vjetër për t’u përballur me shtete të reja dhe kështu edhe probleme të reja është mjaft i vogël. Euro-stari francez, Presidenti Emmanuel Macron, tha me pak fjalë: para se BE-ja të pranojë anëtarë të rinj, duhet të zgjidhë së pari problemet e veta, që janë: të zbatojë propozimet e veta për reforma. Spanja do të bashkohet me të tjerët vetëm nëse statusi i Kosovës përcaktohet në mënyrë të tillë që katalonjasit rebelë të mos e marrin njohjen e Kosovës si shtet, si shembull për rebelimin e tyre kundër Madridit. Kjo është e komplikuar dhe do të zgjasë një kohë të gjatë.
Prandaj vendet kandidate do të duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe të ushtrojnë durim. Nxitja e BE-së konsiston ende në ndihma financiare dhe solidaritet politik. Por Rusia dhe Kina janë të gatshme të ndërhyjnë, nëse është e nevojshme, dhe nëse zelli i BE-së zvogëlohet në Bosnje, Serbi apo Shqipëri.
Çarje të thella
Meqë Ballkani për momentin nuk bart asnjë surprizë, BE-ja mund të përqendrohet tek armiku i saj i ri, Presidenti amerikan Donald Trump. Udhëheqësit e BE-së e kanë kritikuar ashpër si asnjëherë më parë presidentin e tanishëm të SHBA-së, fuqisë së madhe të NATO-s. Politika e tij është e pakuptueshme dhe e gabuar, aventureske dhe krejtësisht josolidare. Kjo ka qenë prej kohësh e qartë për Merkelin, Macronin, Mayn dhe co. Por tani ata flasin për këtë hapur dhe bien dakord për kundërmasa. Mundësitë e BE-së për t’iu kundërvënë superfuqisë ekonomike SHBA janë modeste, por së paku tani ato duhet të përdoren. Askush nuk duhet të bindet për gjithçka, madje as kundrejt miqve të mëparshëm: ky ishte njoftimi i qartë dhe i drejtë nga Sofja.
Bernd Riegert
Pyetja është nëse pula e fryrë e BE-së është vërtetë në gjendje t’i bëjë përshtypje mashkullit alfa në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan e bombardoi marrëveshjen e klimës pa i marrë fare parasysh aleatët në Evropë, ndezi zjarrin në Lindjen e Mesme, vendosi tarifa doganore ndëshkuese dhe tani qëlloi marrëveshjen bërthamore me Iranin. Nuk është e qartë nëse BE-ja mund t’u shmanget sanksioneve të SHBA-së për çelikun ose të bëjë biznes me Iranin. Një gjë është e qartë, mbajtja e lidhjeve ekonomike me Iranin do të jetë e shtrenjtë dhe shumë e vështirë, veçanërisht në qoftë se kompanitë e prekura, si Total, Maersk dhe Siemens nuk do t’ia varin politikës dhe do të preferojnë të luajnë kartën e sigurt, dhe të vendosin për qasje të papenguar në tregun e SHBA.
Por BE-ja do të bënte mirë të mos e fusë kokën në rërë dhe të paktën të organizojë pak rezistencë ndaj Shtëpisë së Bardhë. Papritmas evropianët e gjejnë veten në aleanca me Rusinë, Kinën dhe Iranin kundër vëllait të tyre të madh të Atlantikut. Përpara Trumpit kjo as do t’i shkonte kujt në mendje. Takimi mes presidentit të SHBA-së Trump dhe evropianëve në samitin e NATO-s që do të zhvillohet në korrik në Bruksel do të jetë interesant. Shtetet europiane duhet të jenë të përgatitura që Shtetet e Bashkuara do të kërcënojnë me tërhiqje nga Aleanca dhe do të paraqesin një lloj llogarie për masat parandaluese bërthamore. Evropa duhet të rritet dhe madje shumë shpejt. Hapi i parë u krye në Sofje.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja punuan së bashku për t’i dhënë fund luftës civile në Ballkan dhe për paqen. Kjo sot është e pamendueshme. Kaq shumë kanë ndryshuar kohët./Bernd Riegert/DW
Fraksion.com