AktualitetBota+Të fundit

Julian Assange: Ekuadori i heq sigurinë shtesë

Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, ka urdhëruar tërheqjen e sigurisë shtesë të caktuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku themeluesi i WikiLeaks Julian Assange ka mbetur për gati gjashtë vjet.

Ky veprim u njoftua një ditë pasi një hetim nga  the Guardian dhe Focus Ecuador zbuloi se vendi kishte financuar një operacion multimilion dollarësh për të mbrojtur dhe mbështetur Assange, duke punësuar një kompani ndërkombëtare të sigurisë dhe agjentë të fshehtë për të monitoruar vizitorët e tij, personelin e ambasadës dhe madje edhe Policinë britanike.

Gjatë më shumë se pesë vitesh, Ekuadori vuri të paktën 5 milionë dollarë në  një buxhet të fshehtë të inteligjencës që e mbronte atë ndërsa ai kishte vizita nga Nigel Farage, anëtarë të grupeve nacionaliste evropiane dhe individë të lidhur me Kremlinin.

Rafael Correa, presidenti i atëhershëm ekuadorian që miratoi operacionin, më vonë i mbrojti masat e sigurisë si “rutinë dhe modeste”.

Megjithatë, pasuesi i tij, Moreno, duket të ndryshojë pikëpamjen e tij. Qeveria e tij tha në një deklaratë se “Presidenti i republikës, Lenin Moreno, ka urdhëruar që çdo siguri shtesë në ambasadën ekuadoriane në Londër të tërhiqet menjëherë.

“Prej tani do të ketë një siguri normale të ngjashme me atë të ambasadave të tjera ë Ekuadorit.”

Moreno e ka përshkruar më parë gjendjen e Assange si “një gur në këpucën e tij”.

Ekuadori pezulloi sistemet e komunikimit të Assange në mars pas komenteve të tij politike në Twitter. Assange kishte shkruar mesazhe në twitter duke sfiduar akuzën e Britanisë se Rusia ishte përgjegjëse për helmimin e një agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij në Salisbury.


Fraksion.com