AktualitetNATO/BETë fundit

BE: 200 miliardë euro për mbrojtjen në vitin 2016

Sistemi Statistikor Evropian (Eurostat) ka bërë të ditur se shpenzimet totale ushtarake në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2016 ishin 200 miliardë euro (222 miliardë dollarë), shifër e njëjtë si në vitin 2015.

Eurostat tha se raporti i shpenzimeve të mbrojtjes ndaj PBB-së në 28 vendet anëtare në vitin 2016 ishte 1,3 për qind, nga 1,4 për qind në vitin 2015.

“Kjo është shumë më pak sesa shuma e shpenzuar për mbrojtjen sociale (shpenzimet e barabarta me 19,1 për qind të PBB-së në vitin 2016), për shëndetësinë (7,1 për qind) ose edukimin (4,7 për qind)”, tha Eurostat.

Shpenzimet e mbrojtjes u rritën mbi shpenzimet publike në rekreacion, kulturë dhe religjion (1 për qind), në mbrojtjen e mjedisit (0,7 për qind), si dhe në strehimin dhe pajisjen e komunitetit (0,6 për qind).

Shpenzimet më të ulta të mbrojtjes ndaj PBB-ja u regjistruan në Irlandë (0,3 për qind), Luksemburg (0,4 për qind), Maltë dhe Austri (0,6 për qind), ndërsa Estonia (2,4 për qind), Greqia (2,1 për qind), Britania e Madhe (2 për qind) dhe Franca (1,8 për qind) shpenzuan përmasat më të larta.

Britania e Madhe kishte pothuajse çerekun, përkatësisht 24 për qind të asaj që 28 vendet anëtare kishin në faturën e përgjithshme ushtarake me 47 miliardë euro.

Franca, Gjermania dhe Italia ndoqën Britaninë e Madhe me një kombinim prej 96 miliardë eurosh, 47 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të 28 vendeve anëtare.

Shpenzimet ushtarake globale

Të dhënat e Bankës Botërore treguan se shpenzimet globale të mbrojtjes ndaj PBB-së mesatarisht arritën në 2,2 për qind në vitin 2016.

Sipas Bankës Botërore, në krye të listës janë të vendosura Omani (13,7 për qind ose 10.6 miliardë dollarë), Arabia Saudite (9,8 për qind ose 63.7 miliardë dollarë) dhe Kongo (7,2 për qind ose 562 milionë dollarë), ndërsa Guinea Ekuatoraile (0,2 për qind ose 23 milionë dollarë), Mauritiusi (0,2 për qind ose 23 milionë dollarë) dhe Irlanda (0,2 për qind ose 1 miliardë dollarë) shpenzuan më pak para në mbrojtje në vitin 2016.

Rusia në vitin 2016 ka shpenzuar 5,4 për qind të PBB-së së saj apo rreth 69 miliardë dollarë, SHBA-të 3,3 për qind apo rreth 600 miliardë dollarë, India 2,5 për qind apo rreth 60 miliardë dollarë dhe Kina 1,9 për qind apo rreth 216 miliardë dollarë.

Vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore mesatarisht shpenzuan 5,7 për qind të të ardhurave të tyre në mbrojtje dhe shifra në botën arabe ishte 6,2 për qind.

Në vitin 2016, shpenzimet e mbrojtjes së Turqisë ndaj PBB-së së saj ishin 1,7 për qind apo 17.85 miliardë dollarë./AA

 

Fraksion.com