Thaçi: Kosova e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e punimeve të seancës plenare të Samitit të Sofjes, ku u trajtua tema “Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)”, tha se Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij në Sofje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, Thaçi ka thënë se vendi i tij mbështet plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë sipas tij dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se nëse vërtet dëshirohet një ndikim i qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo sipas tij duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht.
“Kjo përfshin, por nuk kufizohet, në njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera që kemi dhënë më parë si rajon”, thotë ai.
Fraksion.com