“Shpërbëhet” Shqipëria e Euro 2016, mungesa të rëndësishme në testin e Zvicrës
Në prag të grumbullimi një javorë në Zvicër, trajneri i kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi është duke bërë gati surprizat e radhës për dy ndeshjet miqësore me Kosovën më 29 maj dhe me Ukrainën më 3 qershor.
Që nga mbërritja e tij, Panuçi është përpjekur që të bëjë disa ndryshime me formacionin kuqezi krahasuar me ekipin që e çoi këtë kombëtare në Europianin e 2016-s.
Një pjesë e tyre ndryshimeve për shkak të moshës, siç do të jetë mungesa në të ardhmen e kapitenit Ansi Agolli, tashmë 36 vjeç, por lojtar kyç tek skuadra e tij Karabak në Azerbajxhan.
Sulmuesi kryesor kuqezi në finalet e Europianit të Francës, Armando Sadiku, ka humbur krejtësisht toruan e tij duke mbetur jashtë skuadrave ku ai u transferua ne fillim të këtij sezoni.
Nga ekipi i Zyrihut ku ai aktivizohej zgjodhi të shkojë tek kampionët e Polonisë të Legias së Varshavës, por shumë shpejt e pa veten në pankinë dhe në listën e lojtarëve që duhet të lëviznin. Një gjysmë sezoni në Poloni dhe pjesën tjetër tek Levante në Spanjë, merkato e bujshme në letër, por Sadiku sërish në stol duke rrezikuar shumë listën e testimeve të Panuçit, apo aktivizimin e tij.
Për këtë arsye vetëm pak orë më parë është grumbulluar për herë të parë sulmuesi i Kukësit, Sidrit Guri nga Kristian Panuçit. Sulmuesi shkodran nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së Ostendes, në Belgjikë.
Në dyshim për në listën e Panuçit do të jenë edhe mesfushori Ledian Memushaj apo mbrojtësi Mërgim Mavraj, asnjëri prej tyre pjesë e formacionit të ekipeve respektive në kampionatin italian apo gjerman. Sa i përket mesfushës, Panuçi ka grumbulluar sërish Kristal Abazaj, që gjithashtu është transferuar në kampionatin belg, por me skuadrën e Anderlehtit.
Për këtë repart do të jetë edhe një tjetër futbollist i Superligës sonë si, mesfushori i Skënderbeut, Sabien Lilaj. Ndërkohë që boshllëqe kanë krijuar edhe dëmtimet e Xhakës apo Abrashit. Mbrojtësi Bujar Lika do të jetë sërish në listën e Panuçit pas debutimit me Norvegjinë. Ende nuk është zbuluar lista e plotë për këto dy miqësore, por ajo që duket qartë është se Shqipëria e Europianit po shpërbëhet dalëngadalë./TCH
Fraksion.com