AktualitetPolitikëTë fundit

Përgjimet e PD, PS: Sajesa mafioze dhe të rrezikshme

Partia Socialiste këmbëngul se si audio-përgjimi, ashtu edhe video e publikuar këtë të enjte nga Partia Demokratike është sajesë, madje e quan sajesë mafioze.

Numri dy i Partisë Socialiste tha sot se PD tashmë u shndërrua në një organizatë kriminale. Taulant Balla doli në një konferencë për mediat nga selia e Kuvendit.

“Partia Demokratike është përfshirë në një skemë mafioze”, tha Balla ndër të tjera.

“Sot rezulton se Lulzim Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë vendimarrjen e vendeve anëtare të BE për hapjen e negociatave”, tha ai.

Balla hedh dyshime edhe mbi “Dëshmitarin X”, i identifikuar në videon e publikuar nga demokratët si Albert Veliu.

Sipas kreut të grupit të PS, selia rozë do t’i shkojë deri në fund kësaj historie që autorët e inskenimit të dalin para drejtësisë.

“Nuk ja vlen të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të këtij njeriu, që edhe pa e ditur fare kush është, duke qartë që është jë mashtrues i rëndomtë i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshme”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist cilësoi akuzat e opozitës inskenim dhe tipike mafioze.

“Personi që pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë të rrezikshme që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre”, u shpreh ai.

Balla kërkoi nga Prokuroria që t’i shkojë deri në fund hetimit.

“Ky person të hetohet dhe të dalë para drejtësisë, ose të merret në mbrojtje për dëshminë e bërë, ose të përballet me akuzat e dëshmisë së rreme”, u shpreh ai.

“Një individ me skemë të rënduar kriminale e që pranon se është përdorur nga PD, në këtë inskenim, duhet që menjëherë të përballet me drejtësinë bashkë me regjizorin e tij. Situata është e rrezikshme. Çdo gjë mund të pritet nga ata që e morën, e kanë paguar, madje kanë tentuar ta largojnë jashtë territorit”, deklaroi Balla.

 

Ai tha se kreu i PD Lulzim Basha është regjizori i gjithë kësaj skeme që sipas tij përdoret nga organizata mafioze.

“Ajo që ndodhi, me paraqitjen publike të personit, se pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit është tregues i shndërrimit të një partie në një organizatë të rrezikshme që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre dhe më së pari sot, për fatin e keq rezulton se Lulzim Basha, është autori regjizori, dhe aktori i videopërgjimit të montuar“, tha Balla.

 

 

Fraksion.com