AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita publikon identitetin e dëshmitarit kundër vëllait të ministrit të brendshëm

Partia Demokratike e opozitës shqiptare publikoi identitetin dhe dëshmitë e bashkëpunëtorit, që kreu audio-regjistrimin me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm, ku pretendohet riaktivizimi i tij në veprimtari kriminale dhe trafiqe narkotikësh.

Opozita e ndërmori këtë hap pas deklaratave të qeverisë se përgjimet ishin të manipuluara dhe synonin destabilizimin e vendit.

Dëshmitari, Albert Veliu, garantoi se zëri në regjistrim është i Agron Xhafajt.

Partia Demokratike e opozitës protestoi përsëri sot në sallën e parlamentit për mbrojtjen që kryeministri Rama po i bën ministrit të brendshëm Fatmir Xhafa, gjendet në një konflikt interesi, sipas saj, me një vëlla të dënuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bllokoi foltoren dhe provokoi ndërprerjen e seancës, në shenjë proteste për mosdistancimin e socialistëve nga ministri i brendshëm.

Ai tha se policia po ndjek tani bashkëpunëtorin X të audio-përgjimit, që zbuloi veprimtarinë kriminale të vëllait të ministrit, në vend që të arrestonte Agron Xhafajn e dënuar nga gjykatat italiane dhe hetonte pasuritë e tij në bazë të ligjit antimafia.

Zoti Basha tha se audiopërgjimi i vëllait të ministrit të brendshëm me një bashkëpunëtor është i vërtetë, origjinal dhe aspak i manipuluar, sic deklaroi dje kryeministri Edi Rama. Në sallën e braktisur nga opozita, deputetët socialistë fajësuan ata demokratë pse nuk shkuan në prokurori për të dhënë shpjegime për audio-përgjimin.

Opozita dhe mbështetësit e saj protestuan dje me vezë dhe parrulla para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj dhe kryeministrit Rama.

Përfaqësuesit e opozitës tha se kryetari i qeverisë po mbulon krimet e ministrave Tahiri e Xhafaj dhe familjarëve të tyre.

Ata mbrojtën edhe sot qëndrimet e opozitës, se kanë provuar këto krime dhe do të vazhdojnë denoncimet.

Kryeministri Edi Rama i cilësoi si një “maskaradë me synime destabilizuese” akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllanë e tij, i arrestuar në Itali në vitin 2002 dhe më pas i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2012 nga Gjykata italiane e Kasacionit, me 7 vjet e dy muaj burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës.

Ai tha se mashtrimi me audio-përgjimin është një vepër të ndëshkohet me burgim, nëse nuk provohet shkencërisht saktësia e materialit të shfaqur nga opozita si një provë mbi riaktivizimin kriminal të vëllait të ministrit të brendshëm./VOA

 

Fraksion.com