Gjykata Supreme greke nesër me vendim për ekstradimin e Grujevskit dhe Boshkovskit
Pas seancës së fundit dëgjimore, pas dyerve të mbyllura më 27 prill, Gjykata Supreme në Athinë, nesër do ta kumtojë vendimin për ankesën e parashtruar për ekstradimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Pasi gjykata e Selanikut më 5 janar të këtij viti dha dritë jeshile për ekstradim, Gjykata Supreme në Athinë tani më ka mbajtur katër seanca gjyqësore.
E para, më 16 shkurt u shty pasi nuk kishte përkthyes nga gjuha maqedonase në greke dhe anasjelltas, por edhe për shkak të asaj që avokatët grekë nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar lëndën. Seanca e dytë, pas dy javësh, sërish është shtyrë, sepse mungonte njëri prej avokatëve, ndërsa gjykimi filloi më 9 mars, pas dyerve të mbyllura dhe u ndërpre për shkak të çështjeve ligjore dhe vazhdoi më 27 prill, kur edhe përfundoi dhe u paralajmërua se vendimi do të kumtohet më 18 maj.
Për Grujevskin dhe Boshkovskin në Greqi, siç njofton MIA, zhvillohen tre procese të ndryshme që nuk janë të idhur me njëri-tjetrin.
Njëri është për pasaporta të falsifikuara, me të cilat janë kapur në aeroportin e Selanikut, gjykimi pas tre shtyrjeve është caktuar për sot, por duke e pasur parasysh atë se Boshkovski dhe Grujevski janë në Athinë, do të caktohet një datë tjetër.
Rasti tjetër është pas kërkesës së parashtruar për azil më 29 nëntor. Marrja në pyetje para komisionit për azil në Selanik u caktua për më 15 shkurt, por është shtyrë sepse ata veçmë ishin në Athinë.
Procesi i tretë është sipas kërkesës së Maqedonisë për ekstradim, për të cilin Këshilli i gjykatësve në Selanik, më 5 janar vendosi që Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski të ekstradohen në Maqedoni dhe menjëherë më pas avokatët e tyre parashtruan ankesë kundër vendimit të gjykatës, që rastin ta shqyrtojë Gjykata Supreme në Athinë.
Në atë moment, prioritet ka Gjykata Supreme, gjegjësisht kumtimi i vendimit dhe më pas do të caktohen datat për dy proceset e tjera, ai për falsifikimin e pasaportave dhe kërkesa për azil.
Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski nga 13 shkurti pas transferimit të tyre nga Selaniku në Athinë, gjenden në burgun e Athinës “Koridalos”.
Të gjitha katër seancat në Gjykatën Supreme të Athinës kaluan pa asnjë interes të mediave në Greqi, ndërsa gazetari i vetëm në sallën gjyqësore ishte korrespondentja e MIA-s nga Athina, diçka që ishte edhe një argument i avokatëve të Grujevskit dhe Boshkovski për të kërkuar që seanca të jetë me dyer të mbyllura./koha.mk
Fraksion.com