Dosja italiane e Albert Veliut: Ja gënjeshtrat e ‘dëshmitarit X’
Superdëshmitari i paraqitur nga Partia Demokratike si “bashkëpunëtori X” dhe që doli para telekamerave me zë e figure, quhet Albert Veliu; 51 vjeç i ka mbushur më 19 janar dhe banon në Vlorë.
Por kjo është një nga të vërtetat e pakta që tregoi, pasi në pjesën më të madhe të dëshmisë së tij ai gënjeu. Ose, më mirë, tregoi gjysmë të vërteta. Duke filluar nga historia e tij gjyqësore në Itali. Albert Veliu tregoi se ishte arrestuar në Peskara më 2005 me 12 kg kokainë.
Nuk e dimë pse gënjen, por historia e tij është ndryshe: Albert Veliu nuk është arrestuar më 2005, por, sipas dosjes italiane të tij qe ka zbuluar Report TV, ai u arrestua në Peskara më 24 mars 2009 nga Policia, në bazë të një urdhërarresti. Nuk u arrestua për trafikimin e 12 kilogramëve kokainë, por për trafikimin e 10 kilogramëve heroinë dhe një pistolete. Heroina u zbulua në vitin 2008 dhe ai u arrestua pas një viti sëbashku me 15 bashkëfajtorë të tjerë.
Në atë dosje nuk u përmend asnjëherë emri i Agron Xhafës. Nga ana tjetër, vetë Albert Veliu thotë se ka punuar në “grupin e Agron Xhafës” nga viti 2000 deri më 2002, ndërkohë që nga viti 2002 deri më 2009, kur, si Xhafa, ashtu edhe Veliu, kanë qenë në Shqipëri, duket se nuk kanë patur më asnjë kontakt. Kështu që nuk kuptohet se përse Veliu ka pritur ndonjë ndihmë në burg nga Agron Xhafa pas arrestimi ne 2009, duke qenë se me të kishte ndërprerë çdo bashkëpunim në fushën e drogës shtatë vjet para arrestimit të tij.
Por Albert Veliu gënjen edhe për dënimin e tij.
Në të vërtetë, Veliu nuk është dënuar me 11 vjet, por dënimi për të ishte 5 vjet, me vendim të Gjykatës së Peskaras, marrë më 7 janar 2011. Albert Veliu e vuajti dënimin në Itali deri në gusht 2013, kur u dëbua drejt Shqipërisë në bazë të kërkesës së autoriteteve të Tiranës, të cilat, që nga viti 2009, kishin kërkuar ekstradimin e tij nën akuzën e trafikimit të automjeteve. Kështu, më shumë se sa një super-trafikant droge, ai ishte i njohur në Shqipëri si një hajdut makinash./shqiptarja.com/
Fraksion.com