AktualitetBota+Të fundit

Bisedime tregtare me Kinën në Uashington

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga negociatat për tregtinë me Kinën. Sot zhvillohet ndërkohë një tjetër raund bisedimesh, këtu në Uashington.

Përpara zhvillimit të bisedimeve, një zëdhënës i qeverisë kineze tha sot se Pekini shpreson që të ketë rezultate pozitive dhe konstruktive.

“Në lidhje me vizitën e delegacionit kinez të ftuar nga SHBA, ne shpresojmë që palët të trajtojnë njëra-tjetrën me parimin e respektit të ndërsjelltë. Nëpërmjet diskutimeve duhet të zgjidhim mosmarrëveshjen, të menaxhojmë dhe kontrollojmë diferencat, si dhe të arrijmë rezultate pozitive dhe konstruktive për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona. Nuk dëshirojmë të shohim rritje të tensioneve tregtare mes Kinës dhe SHBA-së dhe jemi sigurisht të përgatitur edhe për të gjitha mundësitë”, deklaroi Gao Feng, zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin, po organizon dy ditë bisedimesh në Uashington me zyrtarët kinezë, ndër ta edhe Zëvendëskryeministri Liu Hë.

Shtëpia e Bardhë thotë se këto takime janë një vazhdimësi e bisedimeve të mbajtura në Pekin dy javë më parë dhe do të fokusohen tek ribalancimi i marrëdhënies dypalëshe ekonomike SHBA – Kinë.

Synohet gjithashtu shmangia e një lufte të plotë tregtare pasi SHBA-ja dhe Kina vendosën tarifa në muajin mars.

Megjithë retorikën e tij të ashpër ndaj Kinës, shumë ligjvënës janë të habitur nga dëshira e Presidentit Trump për të shpëtuar kompaninë teknologjike kineze ZTE.

Drejtori i FBI-së i tha dje një komisioni të Senatit se agjensia e tij është thellësisht e shqetësuar për mundësinë e vendosjes së kompanive kineze, si ZTE, në tregun e telekomunikimeve të Shteteve të Bashkuara.

“FBI-ja është thellësisht e shqetësuar për kompanitë në dorë të qeverive të huaja që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne. Nuk janë këto kompanitë që do të dëshironim në pika kyçe të rrjetit tonë të telekomunikacioneve, ku do të kishin aftësinë për vjedhje të informacionit, për spiunazh të padukshëm, dhe që u jep kapacitetin për të ushtruar presion dhe kontroll”, deklaroi drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Zoti Wray gjithashtu tha se nuk është në dijeni që Presidenti Trump të jetë konsultuar me FBI-në për pikëpamjet e tij, përpara se të shkruante në Twitter duke premtuar se do të rikthente vendet e punës që kompania ZTE humbi pasi sanksionet amerikane e detyruan të mbyllte operacionet e saj kryesore.

Kompania ZTE u detyrua të mbyllte një nga fabrikat e saj dhe ndalonte operacionet pasi Departamenti amerikan i Tregtisë i ndaloi blerjen e komponentëve për produktet e saj të konsumit.

ZTE-ja i ka përdorur këto komponentë për produktet që i shet Iranit dhe Koresë së Veriut, një shkelje e embargos amerikane./VOA

 

Fraksion.com