AktualitetNATO/BETë fundit

BE përpiqet të shpëtojë marrëveshjen me Iranin

Në kuadër të Samitit të Sofjes, krerët e shteteve dhe qeverive të BE u këshilluan edhe për marrëveshjen me Iranin. Ata duan që ta shpëtojnë marrëveshjen dhe të gjejnë alternativa për të anashkaluar sanksionet.

Udhëheqësi i samitit të BE-së, Donald Tusk, foli në emër të të 28 shteteve pjesëmarrëse, kur e lëshoi të lirë zemërimin dhe zhgënjimin e tij në Sofje. BE në fakt do të duhet t’ia di për nder Donald Trump, u ankua Tusk, i cili e sulmoi ashpër presidentin e SHBA . “Ai na zhveshi nga çdo iluzion.” Vendimet e tij treguan se kush ka “miq të tillë, nuk ka më nevojë për armiq”.

Udhëheqësit e BE u mblodhën për një darkë joformale për të diskutuar se si duhet të reagojnë ndaj tërheqjes së marrëveshjes bërthamore me Iranin. Sipas qarqeve diplomatike, thuajse të tërë ishin dakord për një gjë: Marrëveshja e vitit 2015, e nënshkruar jo vetëm nga SHBA, por edhe nga BE, Rusia dhe Kina, duhet të vazhdojë dhe të respektohet. “Nuk kemi përse të pajtohemi me këtë”, thanë diplomatët e BE, “por ende është e paqartë se çfarë mund të bëhet për të mbrojtur interesat ekonomike të kompanive europiane që operojnë në Iran”.

Donald Trump kishte paralajmëruar gjithashtu sanksione për ato vende dhe kompani që pas tre deri gjashtë muajsh ende do të bashkëpunojnë me Iranin. Presidenti amerikan akuzon Iranin për vazhdimin e ndërtimit të armëve bërthamore, ndryshe nga ç’gjykojnë shtetet e BE-së dhe inspektorët e Kombeve të Bashkuara.

Anashkalimi i sanksioneve amerikane

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka paraqitur disa mundësi për anashkalimin e sanksioneve të SHBA-ve. Njëra syresh është hapja e një banke të veçantë të BE-së për t’i zhvilluar bizneset me Iranin jashtë zonës së dollarit, që është nën ndikimin e SHBA-ve. Kompanitë që investojnë në Iran mund të marrin kredi nga BE-ja. Dhe edhe më keq: ato kompani që u përmbahen rregullave të SHBA-ve mund të dënohen nga BE-ja. Të përfytyrueshme janë edhe kundërsanksione kundër sipërmarrjeve amerikane në Europë.

Pavarësisht nga fjalët e forta të Presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk, pjesëmarrësit në samit nuk ranë dakord se deri në çfarë mase duhej çuar konflikti me SHBA-të. Kompanitë e mëdha evropiane, si grupi francez i energjisë Total ose kompania daneze e logjistikës Maersk tashmë kanë deklaruar se do të tërhiqen nga biznesi i Iranit nëse do të ketë sanksione.

Të premten e ardhshme do të vazhdohen konsultimet në Vjenë. Më pas shtetet e BE-së do të bisedojnë edhe me Rusinë mbi një shpëtim të mundshëm të marrëveshjes me Iranin dhe izolimin e Shteteve të Bashkuara./Bernd Riegert /DW

 

Fraksion.com