AktualitetEkonomiTë fundit

Autoriteti Rrugor Shqiptar, shtrin veprimtarinë

Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën dhe statutin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Referuar vendimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës dhe organizohet në nivel qendror, nëpërmjet zyrës qendrore, dhe në nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale.

Organet e Autoritetit janë: Bordi Drejtues; Drejtori i Përgjithshëm dhe zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm. Drejtoritë rajonale përfaqësohen nga drejtori i drejtorisë rajonale. Ato zbatojnë dhe kontrollojnë veprimtarinë e Autoritetit në hapësirën e tyre administrative.

“Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, nëpunësve të tjerë dhe punonjësve të Autoritetit, në nivel qendror dhe rajonal, rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Emërimi i drejtorit të Përgjithshëm dhe i drejtorëve të drejtorive rajonale bëhet sipas përcaktimeve në ligjin për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Emërimet e nëpunësve të Autoritetit bëhen sipas një procedure konkurrimi. Rregullat dhe organet e ngarkuara për zhvillimin e procedurës së konkurrimit, të ngritjes në detyrë, lëvizjes paralele, transferimit, disiplinës në punë dhe të procedurave disiplinore përcaktohen në rregulloren e brendshme të Autoritetit” përcaktohet në vendim.

Vendimi përcakton se numri i punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar është, gjithsej, 169 veta ndërsa në dispozitat e fundit specifikohet se “për nëpunësit civilë aktualë të Autoritetit zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit”.

 

Fraksion.com