AktualitetLife StyleTë fundit

Armët në Shqipëri: Në çdo 100 banorë, vetëm 2 kanë armë me leje

Gjatë 2017-s, në çdo 5 ditë në Shqipëri ka ndodhur një vrasje. Shifrat janë edhe me alarmante nëse do të llogarisim edhe tentativat për vrasje. Bazuar mbi statistikat e Instat, në vitin që lamë pas, çdo dy të ditë u regjistrua një vrasje ose tentativë për vrasje në vend, sipas Monitor.

Që prej vitit famëkeq 1997, ku popullsia u armatos (deri në 650 mijë armë u shpërndanë tek civilët sipas një raporti të OKB), herë pas here janë kryer fushata për grumbullimin e armëve pa leje ne vend.

Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga gunpolicy.org Shqipëria ka numrin më të ulët të armëve të zjarrit të regjistruara në rajon për 100 banorë, me rreth 2.1 armë për çdo 100 persona.

Numrin më të lartë të armëve të regjistruara për 100 banorë në të gjithë Europën e ka Mali i Zi. Sipas të dhënave të gunpolicy.org dhe të përpunuara nga InfoData, në çdo 100 banorë në Malin e Zi, 15.2 posedojnë një armë zjarri.

Vendet që kanë numër të lartë armësh të regjistruara janë ish vendet e Federatës Jugosllave, si Mali i Zi me 15.2, Serbia me 12.1, Kroacia dhe Maqedonia me përkatësisht 8 dhe 7.5 armë zjarr të regjistruara për 100 banorë. Edhe vendet e Europës Jugore si Portugalia, Italia dhe Spanja sipas të dhënave të marra nga gunpolicy.org, renditen ndër vendet me numër të lartë armësh të regjistruara. Në Portugali për çdo 100 banorë 13 janë të pajisur me armë zjarri. Në Itali raporti është thuajse 12 persona për çdo 100 banorë. Në Spanjë, numri i të armatosurve per 100 mijë banorë është 6.2, edhe pse më i ulët se fqinjët portugezë, përsëri është mbi mesataren europiane.

Në të gjithë Europën, për çdo 100 banorë, 5 kanë armë zjarri të regjistruar.

Vendet nordike kanë gjithashtu numër të lartë personash të cilët kanë një armë të regjistruar. Sipas të dhënave për çdo 100 banorë 12.6 kanë një armë në Finlandë, duke u renditur si shteti i dytë me numrin më të lartë të njerëzve që posedojnë një armë me leje. Më pas renditet Norvegjia me 9.7 persona për 100 banorë, ndërsa Suedia numëron 6.5 për çdo 100 banorë.

Vendet me numrin më të ulët të armëve të regjistruara

Greqia është vendi me numrin më të ulët të armeve të regjistruara, ku për çdo 100 banorë 0.03 kanë armë zjarri të regjistruar.  Më pas renditet Rumania me 0.27, Danimarka me 0.39, Hungaria me 0.83 dhe Polonia me 0.89.

Ligji për armët dhe interesi i lartë i shqiptarëve

Në vitin 2014, hyri në fuqi ligji “Për armët”, i cili specifikonte se çdo qytetar shqiptar mbi 25 vjeç, që plotëson disa kushte, mund të blejë një armë me leje për në banesë. Nga ajo kohë e deri më sot, aplikime dhe interes kanë shfaqur me mijëra, por vetëm 322 persona kanë arritur të marrin autorizim për armë me leje. Subjektet e licencuara për tregtimin e armëve raportojnë interes të lartë, sidomos nga ana e biznesit.

Një pistoletë, në varësi edhe të markës, mund të sigurohet për 800-1500 euro, ndërkohë që poligonet po frekuentohen gjithnjë e më shumë.

 

Fraksion.com