AktualitetRajoniTë fundit

Zgjerohet koalicioni qeveritar në Maqedoni

Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni. Lëvizja Besa do të marrë ministrinë e Kulturës, ndërsa PDSH një ministri pa portofol që do të merret me çështjen e investimeve të huaja. Këtë post do ta drejtojë Bardhyl Dauti, i cili ishte deputet për disa muaj në përbërjen e fundit parlamentare prej nga u largua për të garuar në zgjedhjet lokale për kreun e Tetovës në tetor të 2017-ës. PDSH-ja do të ketë edhe një post të zëvendës-ministrit të Transportit.

Në qeverinë e kryeminstrit Zoran Zaev do të hyjë edhe partia rome e Amdi Bajramit, e cila për shumë vite ishte partnere qeveritare me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Por, partisë së tij do t’i ndahen vetëm vende drejtorësh të agjensive dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi theksoi se partia e tij deri tash ka qenë opozitë konstruktive, në veçanti në procesin e euro-integrimeve dhe ligjeve reformuese. Ai e ka quajtur korrekte dhe konkrete ofertën e Kryeministrit Zaev.

Ndërkohë, Lëvizja Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik (krahun e Tetovës e drejton Bilall Kasami), pritet ta miratojë vendimin e arritur midis zotit Zaev dhe z. Gashi.

Pritet të ketë edhe ndryshime të tjera postesh në qeveri. Ministria e Arsimit mund të kalojë tek Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Ministria e Drejtësisë, që për disa javë ka qenë pa ministër pasi Bilen Saliji i BDI-së dha dorëheqjen, mund t’i kalojë Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Kryeministri Zoran Zaev u tha mediave se propozimin me emrat e rinj të ministrave do ta nxjerrë para deputetëve në parlament deri në fund të javës.

Koalicioni qeveritar i drejtuar nga LSDM do të shtojë shumicën në parlament dhe numri i ligjvënësve të partive në pushtet pritet të arrijë në shtatëdhjetë.

Megjithatë, kjo është larg shumicës prej dy të tretave të nevojshme për kalimin e një sërë ligjesh dhe vendimeve të tjera.

VMRO-DPMNE që nga rikthimi në punimet e parlamentit pas një bojkoti disa muajsh, ka dëshmuar se po mbështet ligjet që kanë të bëjnë me reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, pavarësisht një retorike të ashpër kundër qeverisë dhe partisë rivale maqedonase, LSDM./VOA

 

Fraksion.com