AktualitetEkonomiTë fundit

Shitet Valtelina (Lori Caffe) te kompania ALB-ERK për 1.2 mln euro; Konkurenca e miraton

Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar kalimin e 51% të aksioneve të shoqërisë VALTELINA SHPK, që tregton markën Lori Caffe tek shoqëria ALB-ERK SHPK.

Në datën 18.01.2018, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar me anë të “Kontratë Shitje Kuotash” (me kusht rishitje), e nënshkruar me datë 24  Tetor 2017, e cila realizon përftimin e kontrollit të drejtpërdrejtë të shoqërisë Valtelina SHPK (“Target”) nga shoqëria Alb-Erk SHPK (“Blerësi”) me anë të blerjes së 51% të kuotave të shoqërisë Valtelina SHPK, njoftoi Autoriteti.

Katër ortakët e palës shitëse ishin Zj. Vjollca Hoxha, Zj Lorela Hoxha, Zj, Sara Hoxha dhe Zj. Redia Hoxha.

Konkurrenca vlerëson se palët në transaksion ushtrojnë aktivitetin në nivele të ndryshme të tregut të importit, përpunimit dhe ambalazhimit të kafesë dhe përqendrimi i ndodhur u klasifikua si një përqendrim vertikal. Në këndvështrimin e të drejtës së konkurrencës, integrimi i veprimtarive ekonomike ose produkteve plotësuese brenda një ndërmarrjeje të vetme, mund të sjellin efiçensa të ndjeshme dhe të ketë efekte pro-konkurruese në treg. Integrimi mund të çojë në ulje të kostove të transaksionit dhe lejon një koordinim më të mirë për sa i përket dizenjimit të produkteve, organizimit të proceseve të prodhimit dhe mënyrave të përdorura të shitjes së produkteve. Po kështu, përqendrime të cilat përfshijnë produkte të së njëjtës linjë mund të sjellin përfitime të menjëhershme për klientët.

Pas vlerësimit konstatohet se përqendrim nuk shfaq shenja të dukshme të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti ndaj dhe ka autorizuar përqendrimin.  Megjithatë, konkurrenca ka vlerësuar se rritja e pjesës së tregut pas përqendrimit mund të krijojë premisa për ndonjë sjellje të mundshme antikonkurruese të palëve pas përqendrimit nëpërmjet ndikimit në strukturat e tregut apo sjelljen ndaj çmimit dhe impaktin në konsumatorin final.

 

Shitja për 1.2 milionë euro

Më herët, Monitor raportoi se sipas të dhënave zyrtare të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Familja Hoxha ka shitur 51% të aksioneve, duke e ulur zotërimin e saj në 49% dhe duke lëshuar në këtë mënyrë kontrollin e kompanisë.

Transaksioni është regjistruar më 12 dhjetor dhe blerësi i 51% të aksioneve është kompania ALB-ERK. Sipas kontratës së shitblerjes, çmimi i shitjes së 51% të aksioneve është 153 milionë lekë, ose rreth 1.2 milionë euro.

5 aksionerët e familjes Hoxha, që më parë kishin secili nga 20% të aksioneve (Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Redia Hoxha, Sara Hoxha, Itan Hoxha) kanë shitur secili nga 12.75% të kuotave dhe kanë mbajtur secili nga 7.25%.

Blerësi ALB-ERK, i krijuar në vitin 2009, ka si aktivitet import-eksport, tregti me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm, kryesisht kafe dhe aksionerë janë me nga 50% secili, Eduart Hoxha dhe Artan Hoxha.

Lori Caffe (Valtelina) është krijuar që në vitin 1995 dhe sipas faqes së saj në internet është prodhuesi më i madh i kafesë në vend. “Hapat e parë nisën me një pjekëse të thjeshtë, por pak kohë pas krijimit të saj, u vërtetuan vlerat e vërteta, çka bëri që dhe objektivi për të kapur majat në tregun shqiptar por edhe më gjerë, të kthehej në realitet”, thuhet në faqen e internetit.

Për vitin 2016, kompania realizoi të ardhura prej 526 milionë lekësh dhe fitim para taksave prej 94 milionë lekësh.

Blerësi ALB-ERK kishte të ardhura prej 323 milionë lekësh në vitin 2016, ndërsa fitimet para taksave ishin 21 milionë lekë, sipas të dhënave të deklaruara në bilancin e dorëzuar në QKB./Monitor

 

Fraksion.com