Protesta të reja në Gazë, ndërsa zhvillohen funeralet e të vrarëve
Mijëra palestinezë u mblodhën të martën në Gazë për të marrë pjesë në funeralet e para që filluan të mbahen të dhjetra protestuesve të vrarë gjatë përleshjeve me forcat izraelite të sigurisë, një sulm që zyrtarët e të drejtave të njeriut të OKB-së e dënuan si të tmerrshëm.
Shumë nga pjesëmarrësit valëvisnin flamujtë palestinezë dhe disa prej tyre bënë thirrje për hakmarrje kundër Izraelit, për të 60 personat e vrarë dhe 2 mijë e 700 të plagosurit ditën e hënë. Pjesëmarrësit në dy prej funeraleve në Gazën jugore thërrisnin: “Me shpirt dhe gjak ne hakmerremi për ju martirë!”
Edhe të martën u zhvilluan protesta të reja në kufirin e Gazës me Izraelin dhe në Bregun Perëndimor, gjatë të cilave demonstruesit hidhin gurë ndaj izraelitëve dhe u vunë zjarrin objekteve, ndërsa forcat izraelite u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës. Por numri i protestuesve të martën ishte qindra vetë në disa zona, një shifër shumë më e vogël se 40 mijë personat që demonstruan në Gazë të hënën, për të kundërshtuar hapjen e ambasadës së re amerikane në Jeruzalem. Në martën u njoftua se u vranë të paktën dy palestinezë u vranë në protesta.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti të drejtën e shtetit izraelit për të mbrojtur kufirin e vet, por ai u ndesh me kritikat e ndërkombëtarëve për përdorimin e zjarrit kundër protestuesve palestinezë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara fajësuan grupin militant Hamas që administron Gazën për organizimin e protestave dhe e bllokuan një deklaratë të OKB-së që bënte thirrje për hetimin e vdekjes së palestinezëve.
…Ndërsa zyrtarët e OKB-së fajësuan Izraelin për përdorimin e armëve të zjarrit kundër protestuesve.
Michael Lynk, raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, tha përmes një deklarate se : “Ky përdorim i flagrant i forcës nga Izraeli, duhet të marrë fund dhe duhen bërë përgjegjës komandatët ushtarakë dhe drejtuesit politikë që kanë urdhëruar, apo lejuar përdorimin e forcës në kufirin e Gazës.”
Një numër qeverish të botës bënë thirrje prë zhvillimin e një hetimi të pavarur për masakrën e së hënës.
Më 15 maj palestinezët përkujtojnë përvjetorin e asaj që e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar ditës kur qindra mijëra palestinezë u dëbuan apo ikën gjatë luftimeve të vitit 1948 kur u krijua shteti i Izraelit. Refuzimi i “të drejtës së tyre për t’u kthyer”, është një prej mosmarrëveshjeve kryesore në bisedimet e paqes ndërmjet arabëve dhe izraelitëve.
Protestat e këtyre ditëve janë pjesë e demonstratave që filluan në fund të marsit. Hamasi, organizata që qeveris në Gazë, e ka quajtur protestën, “Marshim i Kthimit”.
Hamasi, pjesërisht ose në tërësi, cilësohet si organizatë terroriste nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin./VOA
Fraksion.com